Ministri i Jashtëm i Holandës, Caspar Veldkamp, ka dhënë dorëheqjen pasi qeveria nuk arriti të miratonte sanksione kundër Izraelit gjatë një mbledhjeje të kabinetit, gjë që ka dobësuar edhe më shumë qeverinë kujdestare, e cila tashmë ishte e brishtë, raporton “The Guardian“, përcjell Reporteri.net.

Edhe kolegët e tij nga partia qendrore “New Social Contract (NSC)” u larguan nga qeveria, pasi debatet e zhvilluara të premten në mbrëmje përfunduan pa një marrëveshje rreth vendosjes së masave më të ashpra kundër Izraelit.

Këto diskutime u nxitën pasi Holanda iu bashkua 20 vendeve të tjera, duke nënshkruar një deklaratë të përbashkët të enjten, ku dënoheshin planet e Izraelit për të ndërtuar një vendbanim të paligjshëm me 3,400 shtëpi në Bregun Perëndimor, i cili, sipas kritikëve, do ta ndajë territorin palestinez më dysh.

Reklamë

Po ashtu, në muajin korrik, Holanda ndaloi hyrjen në vend të dy ministrave izraelitë të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich.

Pas mbledhjes së së premtes, Veldkamp – ish-ambasador në Izrael – i tha agjencisë së lajmeve holandeze ANP se “nuk ishte në gjendje të merrte masa shtesë domethënëse”. Në deklaratën e tij për dorëheqjen, ai tha:

“Po jetojmë në një kohë me tensione gjeopolitike të paprecedenta, ku diplomacia ka më shumë rëndësi se kurrë.”

Duke mbështetur qëndrimin e tij, partia NSC deklaroi se partnerët e koalicionit, Partia e djathtë qendrore për Liri dhe Demokraci (VVD) dhe Lëvizja Populiste e Fermerëve-Qytetarë (BBB), “refuzojnë të njohin situatën alarmante në Gaza dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme.”