Pavarësisht gëzimit që krijoi lirimi i 20 pengjeve të fundit që mbaheshin nga Hamasi prej dy vitesh, familjarë të 28 pengjeve të tjerë që nuk i mbijetuan dot robërisë shprehin indinjatën që, orët e fundit, autoriteteve izraelite u janë dorëzuar vetëm trupat e katër prej tyre.

Sipas marrëveshjes, të gjithë trupat duhej t’u dorëzoheshin ushtrisë izraelite deri rreth mesditës së të hënës, por Hamasi ka deklaruar se dorëzimi i tyre kërkon më tepër kohë, pasi trupat janë të shpërndarë në zona të ndryshme të Rripit të Gazës, disa prej të cilave janë shkatërruar nga lufta izraelite.

Ndonëse në samitin e Sharm el Sheikut, arkitekti i marrëveshjes së paqes, Donald Trump, nënshkroi me liderët rajonalë marrëveshjen e paqes, pikëpyetje ngrihen mbi vënien në zbatim të fazës së dytë të planit.

Reklamë

Disa çështje mbeten të pazgjidhura, si roli i Hamasit në të ardhmen dhe qeverisja e Gazës. Trump është optimist, por negociatat për paqe pritet të jenë të gjata dhe të vështira, ndërsa tensionet dhe pasiguria vazhdojnë.

Plani i Trump parashikon demilitarizimin e Gazës dhe qeverisjen e saj fillimisht nga një komitet i përkohshëm i teknokratëve palestinezë, mbikëqyrur nga një Bord Paqeje me në krye Tony Blair-in, derisa Autoriteti Palestinez të marrë kontrollin pas përfundimit të reformave.

Mbikëqyrja ndërkombëtare refuzohet kategorikisht nga Hamasi.