Ndërsa armëpushimi në Gaza ka pësuar tashmë disa luhatje, me Izraelin që ka rifilluar bombardimet sporadike mbi enklavën, ngrihet një pyetje për fazat e ardhshme të planit të Donald Trump: cili autoritet do të verifikojë shkeljet e mundshme të marrëveshjes së paqes nga të dyja palët dhe me çfarë mjetesh për të shmangur rifillimin e konfliktit?
Në propozimin e Uashingtonit, përmendet në mënyrë të paqartë një organ mbikëqyrës për çmilitarizimin e Gazës “nën mbikëqyrjen e kontrollorëve të pavarur”. Ndërsa faza e dytë e planit po merr formë, konturet e saj po qartësohen.
Forca ndërkombëtare
Mekanizmi i mbikëqyrjes do të jetë nën drejtimin amerikan. Një kontingjent prej 200 ushtarësh amerikanë, i udhëhequr nga admirali Brad Cooper nga Komanda Qendrore Amerikane (Centcom), është dërguar në Izrael për të mbikëqyrur zbatimin e armëpushimit dhe për të ngritur Qendrën e Koordinimit Civilo-Ushtarak (CMCC), e cila u inaugurua këtë javë. Zyrtarët ushtarakë amerikanë që do të punojnë aty “do të ndjekin zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit” nga “një qendër operative që u mundëson stafit të vlerësojë në kohë reale zhvillimet në Gaza”, sqaroi Centcom. Nën autoritetin e Centcom, gjeneral-lejtnanti Patrick Frank është emëruar si drejtues i trupave amerikane në këtë qendër.
Gjithashtu, kjo qendër do të shërbejë në të ardhmen si pikë koordinimi për Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e cila pritet të sigurojë tranzicionin e sigurisë në enklavë me tërheqjen e trupave izraelite. Ditët e fundit, dronë amerikanë kanë patrulluar mbi Gazë për të monitoruar respektimin e armëpushimit, sipas burimeve ushtarake izraelite dhe amerikane të cituara nga New York Times.
Përveç rolit të tij si pikë vëzhgimi, qendra e koordinimit e menaxhuar nga Shtetet e Bashkuara “është konceptuar për të lehtësuar dërgimin e ndihmës humanitare, logjistike dhe të sigurisë nga partnerët ndërkombëtarë drejt Gazës”, ka sqaruar më tej Centcom. Qëllimi është krijimi i një qendre për ekspertë ndërkombëtarë ushtarakë, politikë dhe humanitarë.
Gjatë një vizite më 24 tetor në këtë qendër të re në Kiryat Gat, në jugperëndim të Izraelit dhe rreth dhjetë kilometra në verilindje të Gazës, sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio emëroi ambasadorin amerikan në Jemen që nga viti 2022, Steven Fagin, si “përgjegjës civil” të këtij institucioni, sipas një njoftimi të Departamentit të Shtetit. Rubio premtoi se më shumë diplomatë amerikanë do t’i bashkohen rreth 200 ushtarëve amerikanë të vendosur në terren.
Sipas Associated Press, në qendër janë parë përfaqësues me flamuj të Qipros, Greqisë, Francës, Gjermanisë, Australisë dhe Kanadasë, ndërkohë që SHBA po përpiqet të zgjerojë bazën e mbështetjes për planin Trump. Një zyrtar izraelit i tha Times of Israel se përfaqësues nga Jordania, Britania e Madhe, Danimarka, Spanja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe i janë bashkuar nismës. Disa vende të tjera kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë në këtë mekanizëm mbikëqyrës, i cili supozohet të jetë i pavarur, por që duket se favorizon palën izraelite.
Marco Rubio ka theksuar se izraelitët duhet të ndihen “të qetë” me anëtarët e forcës ndërkombëtare që do të krijohet për të mbikëqyrur armëpushimin me Hamasin në Gaza, në fuqi që nga 10 tetori, duke përmendur “shumë vende që kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë”. Turqia, ashtu si Egjipti dhe Katari, ka shprehur interes për të qenë pjesë e kësaj force. Një prani që mund të shkaktojë tensione me Izraelin, duke pasur parasysh marrëdhëniet e vështira me Ankaranë, e cila strehon drejtues të Hamasit dhe nuk e konsideron grupin si terrorist.
A do të ketë Uashingtoni fjalën e fundit për përbërjen e komitetit? Ky aspekt, ashtu si edhe kalendari i saktë për funksionalizimin e qendrës, mbetet ende i paqartë.
Modeli libanez
Është e vështirë të mos mendohet për modelin libanez kur flitet për këtë mekanizëm, veçanërisht për “komitetin ndërkombëtar të mbikëqyrjes” që ka për detyrë të garantojë respektimin e armëpushimit dhe çarmatimin e Hezbollahut në jug të Lumit Litani. Ky organizëm gëzon neutralitet institucional të garantuar nga OKB-ja dhe përbëhet nga pesë anëtarë, Franca dhe Shtetet e Bashkuara, që bashkëkryesojnë, si dhe Libani, Izraeli dhe Forca Ndërkombëtare e OKB-së (UNIFIL).
Në terren, detyra kryesore e komitetit është mbledhja e informacionit nga secili prej anëtarëve për identifikimin e depozitave të armëve të Hezbollahut dhe transmetimi i tyre tek ushtria libaneze, e cila ndërhyn për t’i çmontuar, pastruar ose shkatërruar. Izraelitët, në teori, duhet të njoftojnë komitetin kur konstatojnë një kërcënim apo shkelje nga Hezbollahu. Por në praktikë, ruajtja e armëpushimit në jug të Libanit ka dështuar, pasi Izraeli shkel thuajse çdo ditë marrëveshjen duke kryer sulme me dronë dhe sulme ajrore, duke pretenduar se godet infrastrukturë apo elementë të milicisë pro-iraniane.
Në Gaza, ata që shqetësohen për shkelje të marrëveshjes duket se mbështeten te krijimi i Forcës shumëkombëshe të stabilizimit (ISF), konturet e së cilës mbeten ende të paqarta. “Prania e trupave të trajnuara dhe të pavarura në terren do të ndërkombëtarizojë përpjekjet për mbikëqyrje dhe llogaridhënie, duke reduktuar kështu në afat të gjatë mundësinë e rikthimit në një luftë të gjerë”, sugjeron një editorial i publikuar në The National.
Në një intervistë dhënë më 20 tetor për të njëjtin media, ministri egjiptian i Punëve të Jashtme, Badr Abdelatty, ka theksuar nevojën për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së “sa më shpejt të jetë e mundur” për të përcaktuar mandatin e ISF-së dhe shtrirjen e misionit të saj. Disa vende të rajonit janë të rezervuara për të angazhuar trupa që mund të përballen drejtpërdrejt me Hamasin, për sa kohë që ky i fundit mbetet i armatosur, kanë pohuar diplomatë për New York Times.