Një grup prej 209 diplomatësh të Bashkimit Evropian kanë bërë publike këtë të martë, më 26 gusht, një letër përmes së cilët kanë kërkuar veprim urgjent lidhur me luftën e Izraelit në Gaza dhe veprimet e paligjshme në Bregun Perëndimor.
Nëse BE-ja nuk vepron kolektivisht, shtetet anëtare duhet të ndërmarrin hapa individualisht ose në grupe më të vogla për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe për të mbrojtur ligjin ndërkombëtar, thuhet në letër, duke propozuar nëntë qasje të mundshme.
Mes tyre janë pezullimi i lejeve për eksportin e armëve, ndalimi i tregtisë së mallrave dhe shërbimeve me vendbanimet e paligjshme, si dhe ndalimi që qendrat europiane të të dhënave të marrin, ruajnë apo përpunojnë të dhëna nga burimet qeveritare apo komerciale izraelite nëse ato lidhen me “praninë dhe aktivitetet e Izraelit në Gaza dhe në territoret e tjera të pushtuara”.
Mes atyre që e kanë formosur këtë letër janë: 110 ish-ambasadorë, 25 ish-drejtorë të përgjithshëm dhe dy prej diplomatëve më të lartë në BE: Alain Le Roy, ish-sekretar i përgjithshëm i Shërbimit të Jashtëm Europian dhe Carlo Trojan, ish-sekretar i përgjithshëm i Komisionit Europian.
“Kjo preku një tel të fortë,” tha Sven Kühn von Burgsdorff sipas “The Guardian“. Kühn von Burgsdorff është ish-përfaqësues i BE-së për territoret palestineze dhe pjesë e një grupi drejtues prej 6 ish-diplomatësh që koordinojnë këtë iniciativë, e cila nisi në mes të korrikut.
Kjo letër ishte thirrja e tretë publike për veprim, dhe e para që kërkon që vendet të veprojnë individualisht nëse BE-ja nuk ndërmerr veprime kolektive. Një propozim për pezullimin e pjesshëm të Izraelit nga fondi hulumtues Horizon për shkak të Gazës dështoi në fund të korrikut.
“Në institucione ka një zhgënjim të madh, njerëzit thonë mjaft është mjaft,” tha Kühn von Burgsdorff.
“Nuk mund të qëndrojmë të paralizuar nëse 27 shtetet anëtare nuk mund të veprojnë, kjo tradhton vlerat tona. Prandaj kemi propozuar nëntë masa që mund të merren në nivel shtetëror ose nga grupe shtetesh.”
“Qeveritë europiane po humbasin besueshmërinë jo vetëm në jugun global, por edhe me qytetarët e tyre, në çdo shtet anëtar.”
Ai përmendi sondazhe nga Gjermania, vendi i tij i lindjes që është një mbështetës tradicional i Izraelit, që tregojnë se 80 për qind e popullsisë nuk pajtohen me veprimet e Izraelit në Gaza dhe dy të tretat duan që qeveria të ndërmarrë veprime.