Kur talebanët rimorën pushtetin e Afganistanit në gusht 2021, 24-vjeçarja Nahid ishte në mes të degës së saj në ekonomi. Ajo shpresonte se pas diplomimit do të punonte në një universitet.
Tanimë, Nahid i kalon mëngjeset në një shkollë fetare në bodrumin e një xhamie në qytetin perëndimor të Heratit, e ulur në dysheme dhe duke recituar shkrime bashkë me 50 vajza e gra, të gjitha të veshura kokë e këmbë me të zeza.
Ajo e di se talebanët po “përpiqen të ndryshojnë mendjet e grave”, por thotë se i ndjek mësimet pasi “është e vetmja mënyrë që mund të dal nga shtëpia dhe të luftoj depresionin”. Pagesa prej 1 mijë afganësh (11 paund) që merr çdo muaj, gjithashtu ndihmon.
Historia e Nahid s’është e pazakontë. Një hetim i The Guardian dhe Zan Times në tetë nga 34 provincat e Afganistanit ka zbuluar përpjekjet e qëllimshme dhe të përllogaritura të talebanëve për t’i kthyer mësimet fetare në të vetmen alternativë arsimi për gratë dhe vajzat.
Pasi ato u përjashtuan nga shkolla 9-vjeçare dhe arsimimi i mëtejshëm më shumë se katër vite më parë, regjimi ka ndërtuar një rrjet të madh shkollash fetare për të promovuar një alternativë të re.
Në fund të vitit të shkuar, sipas raporteve, kishte mbi 21 mijë shkolla fetare islamike ose medrese në Afganistan. Mes shtatorit 2024 dhe shkurtit 2025, talebanët ndërtuan ose hodhën themelet për thuajse 50 medrese të reja në 11 provinca.
Shkollat drejtohen nga mullahët në xhami apo në shtëpitë e tyre, për të cilat marrin një pagë nga minsitria e arsimit. Për të pajisur shkollat me staf, ministria ka lëshuar certifikata mësuesie për 21.300 ish-studentë medreseje që i lejon ata të japin mësim në gjimnaze dhe nivelin para e pas universitar.
Familjet kanë fare pak mundësi që pasi vajzat janë përjashtuar nga arsimi 9-vjeçar dhe shpesh e gjejnë veten të detyruara apo të nxitura për të regjistruar fëmijët, sidomos bijat, në shkollat fetare.
Mullahët kanë gjithashtu një incentivë për të mbushur klasat pasi sa më shumë nxënës, aq më shumë para. Si udhëheqës të komunitetit dhe përçues të ndihmave, ata kanë pushtet në jetën e përditshme të popullit.
Karima nga provinca e Nimrozit, i hoqi dy vajzat nga shkolla sipas kërkesës së mullahut vendas. “Ai tha se do të na jepte ndihma ushqimore nëse i çoja në klasën e tij. Por në fund, nuk erdhi asgjë”, thotë ajo.
Një nënë tjetër, Nasreen citon çfarë i kanë thënë: “Çoji vajzat e tua në mësimet tona fetare ose s’do të marrësh asgjë.”
Rezultati është një riformësim i qëndrueshëm i normave komunitare. Familjet që bëjnë rezistencë përballen me izolim dhe uri. Ata që binden shohin bijat e tyre të kthehen në shtëpi më të ngurta e kritike në mendime, shpeshherë duke i denoncuar prindërit si “të pabesë”. Edhe mundësitë e punësimit janë të rezervuara për familjet, vajzat e të cilave ndjekin mësimet fetare.
Në shkollat fillore të vajzave që kanë mbetur ende hapur, ndikimi është i dukshëm. Klasat janë më të vogla. Në Nimroz, një mësuese thotë se 57 nga nxënësit e saj ikën në medrese këtë vit. “Më parë, çdo klasë kishte katër ndarje me 40 nxënës. Tani kemi tri ndarje me 20-25 nxënës.”
Edhe ata që qëndrojnë, shpesh i ndjekin të dyja duke kaluar mëngjeset në medrese dhe pasditet në shkollë, derisa presioni rritet dhe e lënë fare arsimin jo-fetar.
Mësuesit me përvojë e diploma universitare janë penguar të japin mësim. Ata shpesh zëvendësohen nga ish-nxënës adoleshentë të medresesë pa trajnim në mësuesi, por me të dhëna të forta ideologjike.
Në provincën perëndimore të Farahut, një drejtoreshë kujton sesi u urdhërua të hiqte pesë mësues të kualifikuar. Një prej zëvendësueseve që erdhi nuk arrinte as të lexonte rrjedhshëm, kualifikimi i saj i vetëm ishin lidhjet me zyrtarët dhe një certifikatë nga një shkollë fetare.
Kurrikula në medrese është e ngushtë: mësimi i Kuranit, intepretimet e talebanëve për ligjin islamik, rolet gjinore dhe rregullat për veshjen dhe sjelljen. Nuk studiohet matematikë apo shkencë.
Tekstet shkollore importohen nga Pakistani dhe printohen në gjuhën pashtu, gjuha e grupit etnik nga erdhën talebanët. Kjo ndodh edhe në rajonet ku flitet gjuha dari (dari dhe pashtu janë dy gjuhët zyrtare në Afganistan), ku shumë fëmijë kanë vështirësi të kuptojnë mësimet.
Aktivistët thonë se ndihma ndërkombëtare po përdoret për të mbështetur medresetë. Mjetet shkollore të dhuruara nga UNICEF për një shkollë publike u dërguan në klasën e një mullahu, madje sanitari i shkollës duhet t’i regjistronte mjetet si “të vendosura gabimisht”, thotë një mësues.
Zgjerimi i medreseve po riformëson tregun e punës në Afganistan. Punonjësit civilë me vite përvojë po zëvendësohen nga adoleshentë që kanë vetëm certifikata medreseje. Në Nimroz, thotë një aktivist, një grua me diplomë Bachelor dhe 20 vite përvojë në departamentin e marrëdhënies me gratë, u pushua pa asnjë shpjegim. Ajo u zëvendësua me një 17-vjeçare të sapodalë nga medreseja. “Tani të gjithë e kuptojnë. Nëse do një punë, harroje universitetin. Shko në medrese.”
Mesazhi është përçuar. Vajzat e intervistuara thonë se nuk ëndërrojnë më të bëhen mjeke apo inxhiniere. Ato i shohin certifikatat e medresesë si më të sigurta dhe si kualifikimin e vetëm që ka rëndësi.
Për Nahid, paradoksi është mizor. Mësimet e nxjerrin nga izolimi e depresioni, por brenda kornizave të një ideologjie që ajo s’e pranon. “Nëse rri në shtëpi, do të çmendem”, thotë ajo. “Nëse shkoj, të paktën do të takoj gra të tjera.”
