×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Mijëra të sëmurë në Gaza në pritje të evakuimit, OBSH kërkon hapjen e rrugëve të kalimit

    Reporteri
    28 Gusht 2026 | 16:16

    Mijëra pacientë në Rripin e Gazës vazhdojnë të presin evakuimin mjekësor, ndërsa shumë prej tyre kanë nevojë urgjente për trajtim jashtë enklavës, tha të premten drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.

    Sipas Tedros, OBSH-ja javën e kaluar ndihmoi në evakuimin e 106 pacientëve, mes tyre 19 fëmijë, përmes pikave kufitare Rafah dhe Kerem Shalom. Pacientët u shoqëruan nga 132 persona.

    Që nga tetori 2023, gjithsej 13.237 pacientë, përfshirë 6.276 fëmijë, janë evakuuar nga Gaza, së bashku me 16.406 shoqërues, bëri të ditur kreu i OBSH-së.

    Tedros theksoi se evakuimet mjekësore mund t’u japin pacientëve që kanë nevojë për kujdes urgjent një mundësi për të mbijetuar, ndërsa kërkoi qasje të qëndrueshme dhe përdorimin e disa pikave kufitare për të garantuar trajtimin në kohë.

    Lufta në Gaza ka shkaktuar zhvendosjen e qindra mijëra palestinezëve, shumë prej të cilëve janë detyruar të strehohen në kampe dhe struktura të përkohshme.

    Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, më shumë se 1.300 palestinezë janë vrarë dhe mbi 4.000 janë plagosur, ndërsa që nga tetori 2023 numri i viktimave ka kaluar 73.400 dhe i të plagosurve 174.400.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!