Partia ANO e populistit dhe miliarderit Andrej Babis, i quajtur Trumpi çek, korri një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare çeke të shtunën, duke e afruar vendin me një qeveri që do të mbështesë bllokun populist anti-emigrant të Evropës dhe do të zvogëlojë mbështetjen për Ukrainën.
Babis u tha mbështetësve se ANO do të përpiqej të formonte një qeveri njëpartiake, por do të bisedonte me dy parti më të vogla, përfshirë SPD-në e ekstremit të djathtë, sepse partia e tij nuk do të kishte shumicën.
Ai hodhi poshtë akuzat se fitorja e tij do ta bënte vendin e Evropës Qendrore një partner më pak të besueshëm për Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Ne duam ta shpëtojmë Evropën dhe padyshim që jemi pro-evropianë dhe pro-NATO-s”, u tha ai gazetarëve.
Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, ANO është gati të zëvendësojë qeverinë aktuale të qendrës së djathtë të kryeministrit Petar Fiala. Fiala e përgëzoi Babisin dhe pranoi humbjen.
Gjatë fushatës, ANO premtoi rritje më të shpejtë ekonomike, paga dhe pensione më të larta, taksa më të ulëta dhe lehtësime tatimore për studentët dhe familjet e reja.
Këto premtime, të cilat do të kushtojnë miliarda euro, i japin fund politikës së shtrëngimit dhe vënë në provë maturinë fiskale të vendit, gjetën jehonë te shumë çekë, të ardhurat e të cilëve kanë qenë në rënie vitet e fundit për shkak të inflacionit të lartë.