Ministri i Jashtëm i Holandës, Caspar Veldkamp, ka dhënë dorëheqjen të premten pasi kabineti nuk arriti të binte dakord për vendosjen e sanksioneve ndaj Izraelit. Vendimi i tij erdhi mes një debati të ashpër qeveritar mbi masat shtesë ndaj Tel Avivit, i cili u bllokua pa rezultat.
Muajin e kaluar, Veldkamp shpalli të padëshiruar në Holandë ministrat e linjës së ashpër izraelite Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, ndërsa vetëm një ditë më parë, Holanda iu bashkua 21 vendeve që dënuan projektin e ri të kolonive në Bregun Perëndimor, duke e quajtur atë “të papranueshëm dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.
“E ndjej veten të kufizuar në ndjekjen e kursit që e konsideroj të domosdoshëm si ministër i jashtëm”, deklaroi Veldkamp, duke shtuar se nuk kishte besim se mund të vepronte në mënyrë efektive në javët apo muajt në vijim.
Presioni ndaj qeverisë holandeze është rritur ndjeshëm pas protestave masive në Hagë, ku mbi 100 mijë persona kërkuan vendosjen e sanksioneve ndaj Izraelit dhe akses humanitar për civilët në Gaza. OKB ka shpallur zyrtarisht gjendjen e urisë në territorin palestinez, duke fajësuar “pengimin sistematik” të ndihmave nga Izraeli, një raportim që kryeministri Netanyahu e hodhi poshtë menjëherë.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ende nuk ka arritur një marrëveshje të përbashkët për sanksione ndaj Izraelit, ndonëse disa shtete anëtare kanë kërkuar masa të forta, përfshirë kufizime tregtare, pezullim të programeve shkencore me vlerë 900 milionë euro dhe ndalim vizash për zyrtarë izraelitë.
Sipas shifrave të OKB-së, lufta e nisur pas sulmit të Hamasit në tetor 2023 ka lënë të vrarë mbi 62 mijë palestinezë në Gaza, shumica civilë, ndërsa 1.219 persona, kryesisht civilë, u vranë në Izrael gjatë sulmit fillestar.