Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë hartuar plane për sulme të reja ushtarake ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në ShBA më 3 nëntor.
Duke cituar zyrtarë amerikanë dhe të tjerë që kanë njohuri për çështjen, gazeta e njohur, “The New York Times”, raportoi se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i kanë shtuar ushtrimet ushtarake para atij që tha se do të jetë “operacion i shkurtër por intensiv”, përfshirë fluturimet mbi vendin fqinj të Iranit, Irak, për të simuluar manovra sulmuese, transmeton gazeta “The Times of Israel”.
Shënjestra të mundshme janë qendrat e energjisë, objektet bërthamore dhe arsenali i raketave e dronëve, thuhet në raport. Zyrtarët e cituar nga gazeta pretenduan se një valë tjetër e sulmeve mund ta dëmtojë ekonominë e Iranit dhe, duke e bërë këtë, ta detyrojë Teheranin që të bëjë koncesione diplomatike.
Në disa raporte të publikuara rishtazi pretendohet se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është i interesuar që të nisë sulme kundër Iranit, por është kundërshtuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili dëshiron të presë derisa të përfundojnë zgjedhjet e mesit të mandatit në vendin e tij, në fillim të nëntorit.
Megjithatë, Netanyahu të enjten i hodhi poshtë këto raportime, duke i quajtur “të pasakta” dhe duke thënë se ai nuk do të japë hollësi për ato që janë thënë në bisedat e zhvilluara rishtazi me Trumpin rreth Iranit.
Disa zyrtarë i thanë gazetës se Turmpi do të kursehet nga sulmet mbi infrastrukturën iraniane të naftës për ta parandaluar rritjen e mëtejme të çmimeve. Persona me njohuri rreth planeve thanë se në mesin e shënjestrave mund të jetë Mali i Kazmës, i lidhur me programin bërthamor të Iranit.
Në raport gjithashtu thuhet se ka pak gjasa që Trumpi ta miratojë nisjen e sulmeve këtë muaj dhe theksohet se presidenti amerikan mundet edhe që të mos autorizojë fare veprime ushtarake kundër Iranit, duke sjellë ndër mend që ai disa herë e ka anuluar rikthimin e luftimeve gjatë muajve të fundit.