Qyteti i Gazës dhe zonat përreth po vuajnë zyrtarisht nga uria, e cila pritet të përhapet në gjithë Rripin, sipas një raporti të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.

Sistemi i Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore (IPC) njoftoi të premten se 514 mijë persona, gati një e katërta e palestinezëve në Gaza, po përjetojnë uri, me shifrën që mund të arrijë në 641 mijë deri në fund të shtatorit.

Ky është rasti i parë jashtë Afrikës ku IPC-ja konfirmon zyrtarisht një uri. Organizata paralajmëron se deri muajin tjetër, uria do të prekë edhe rajonet qendrore e jugore si Deir el-Balah dhe Khan Younis.

Reklamë

Pas 22 muajsh lufte, ushtria izraelite ka shkatërruar infrastrukturën dhe furrat e bukës, ka bllokuar ndihmat dhe ka qëlluar palestinezë që kërkonin ushqim.

Por si ka reaguar bota?

•Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e quajti urinë në Gaza “një katastrofë të krijuar nga njeriu, një akt imoral dhe një dështim të njerëzimit”. Ai tha se Izraeli, si fuqi pushtuese, ka “detyrime të qarta ligjore” për të siguruar ushqim dhe ilaçe për popullsinë.

•Izraeli e cilësoi raportin e IPC-së “një gënjeshtër të hapur”. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se “Izraeli nuk ka politikë urie” dhe se po lejon hyrjen e ndihmave.

•Hamasi kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të luftës dhe hapjen e kalimeve kufitare “pa kufizime” për ushqim, ujë e karburant.

Reklamë

•Autoriteti Palestinez tha se raporti “mbyll derën e çdo dyshimi për ekzistencën e urisë” dhe kërkoi ndërhyrje të menjëhershme ndërkombëtare.

•Arabia Saudite e quajti situatën në Gaza “një njollë për komunitetin ndërkombëtar” dhe i kërkoi Këshillit të Sigurimit të ndërhyjë për t’i dhënë fund luftës.

•Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) akuzoi Izraelin për përdorimin e urisë si “politikë të paligjshme dhe çnjerëzore”.

•Mbretëria e Bashkuar e përshkroi urinë në Gaza si “një katastrofë të krijuar nga njeriu” dhe “një turp moral”, duke fajësuar Izraelin për refuzimin e lejimit të ndihmave.

Reklamë

•Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq theksoi se Izraeli, si pushtues, duhet të sigurojë ushqim e ilaçe për civilët dhe se uria “duhet të shërbejë si alarm për veprim të menjëhershëm”.

•Islamic Relief tha se “çdo ditë shohim njerëz që vdesin nga uria dhe fëmijë që kthehen në skelete të gjalla”.

•Mercy Corps deklaroi se kjo është “një katastrofë e krijuar nga njeriu, e parandalueshme dhe e pajustifikueshme”. Punonjësit e saj në Gaza raportojnë se edhe ata po lënë ushqimin mënjanë që të ushqejnë fëmijët e tyre./tvklan.