Konkurrenca mes kompanive po merr ngjyrim politik në Indi, ku prodhuesi vendas i produkteve të kujdesit personal Dabur ka vendosur të sfidojë gjigantin amerikan Colgate-Palmolive, duke e kthyer pastën e dhëmbëve në një test nacionalizmi.
Fushata e Dabur vjen në një kohë kur marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve janë acaruar, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të vendosur tarifa deri në 50% mbi mallrat indiane. Si kundërpërgjigje, mbështetës të kryeministrit Narendra Modi kanë nisur një fushatë në WhatsApp për të bojkotuar markat amerikane si McDonald’s, Pepsi dhe Apple.
Modi përsëriti thirrjen e tij për përdorimin e produkteve Swadeshi, pra të prodhuara në Indi. Ai madje u bëri apel fëmijëve që të hartojnë një listë të produkteve të huaja dhe mësuesve që t’i nxisin ata të mos i përdorin.
Në këtë atmosferë, Dabur publikoi një reklamë të madhe në faqen e parë të gazetës Times of India, ku shfaqeshin pako paste dhëmbësh që ngjanin me Colgate, por pa e përmendur emrin.
“E lindur atje, jo këtu”, shkruhej në reklamë me ngjyra që imitonin flamurin amerikan, duke lënë të kuptohej se Colgate është markë amerikane, ndërsa Dabur është zgjedhja “Swadeshi”.
Colgate, e cila mban 43% të tregut indian të pastës së dhëmbëve, nuk ka komentuar mbi fushatën, ndërsa Dabur, me 17% të tregut, ka zgjedhur të mos japë shpjegime. Në vendin e dytë ndodhet Unilever India me markën Pepsodent.
India, me një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, është një treg gjigant për produktet amerikane, të cilat shpesh shiten përmes Amazon India, që kontrollon një të tretën e shitjeve online. Madje reklama e Dabur përfshinte edhe një kod QR që çonte konsumatorët drejtpërdrejt në Amazon për blerje.
Ekspertët e komunikimit e quajnë këtë “moment marketingu”, përfitim të menjëhershëm nga ndjenja nacionaliste. Përveç Dabur, edhe kompani të tjera si Amul kanë publikuar reklama patriotike, ndërsa ofruesi indian i email-it Rediff e ka shpallur shërbimin e tij si “mail-i i Indisë” për të ruajtur të dhënat brenda vendit.