Qeveria kineze ka reaguar ashpër ndaj kërcënimit të fundit të Donald Trump për vendosjen e një tarife shtesë prej 100% mbi mallrat kineze, duke e quajtur atë “një shembull tipik të standardeve të dyfishta të SHBA-së”.
Një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë së Kinës paralajmëroi se vendi mund të ndërmarrë “kundërmasa” të papërcaktuara nëse kërcënimi realizohet, duke shtuar se Kina “nuk ka frikë” nga një luftë tregtare e mundshme.
Reagimi i Pekinit erdhi pasi Trump akuzoi Kinën për sjellje “armiqësore”, për shkak të vendimit të saj për të ashpërsuar rregullat e eksportit për mineralet e rralla. Ai e akuzoi Kinën se po përpiqet ta mbajë botën “peng”, dhe madje kërcënoi se mund të anulojë takimin e planifikuar këtë muaj me presidentin kinez Xi Jinping.
Megjithatë, në një postim në rrjetet sociale të dielën, Trump zbuti tonet duke shkruar: Mos u shqetësoni për Kinën, gjithçka do të shkojë mirë!” dhe shtoi: Presidenti Xi, që gëzon respekt të lartë, thjesht pati një moment të keq. Ai nuk dëshiron një depresion për vendin e tij, ashtu si as unë. SHBA-të dëshirojnë ta ndihmojnë Kinën, jo ta dëmtojnë atë!
Komentet e tij të premten tronditën tregjet financiare, me indeksin S&P 500 që shënoi një rënie prej 2.7%, rënia më e madhe që nga prilli. Të hënën, indeksi Shenzhen në Kinën kontinentale ra me mbi 2.5%, ndërsa indeksi Hang Seng në Hong Kong humbi rreth 3.5%. Këto zhvillime rigjallëruan frikën për një përshkallëzim të luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Në maj, të dy vendet kishin rënë dakord të heqin tarifat trefish mbi mallrat përkatëse, duke dhënë shpresë për një lehtësim të tensioneve tregtare. Megjithatë, aktualisht mallrat kineze të eksportuara në SHBA përballen me një tarifë shtesë prej 30% krahasuar me fillimin e vitit, ndërsa mallrat amerikane që hyjnë në Kinë janë subjekt i një tarife prej 10%.
Në deklaratën e saj zyrtare, Ministria kineze e Tregtisë kritikoi sërish kufizimet e eksportit të vendosura nga SHBA ndaj çipave dhe gjysmëpërçuesve, ndërsa mbrojti masat e veta për kontrollin e eksporteve të metaleve të rralla si “masa normale për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe atë globale”.
“Për një kohë të gjatë, SHBA ka abuzuar me konceptin e sigurisë kombëtare dhe me masat e kontrollit të eksporteve, duke ndjekur praktika diskriminuese ndaj Kinës”, u shpreh zëdhënësi i ministrisë.
“Shtimi i kërcënimeve me tarifa nuk është mënyra e duhur për të komunikuar me Kinën”, shtoi ai. “Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë i njëjtë: nuk kërkojmë luftë tregtare, por nuk kemi frikë prej saj.”
Javën e kaluar, Kina njoftoi se do të ashpërsojë kontrollin mbi eksportet e mineraleve të rralla dhe materialeve të tjera të rëndësishme për prodhimin e teknologjisë së avancuar. Kina përpunon rreth 90% të rezervave botërore të këtyre materialeve, të cilat janë thelbësore për prodhimin e paneleve diellore, telefonave inteligjentë dhe pajisjeve të tjera.
Analistët vlerësojnë se komentet e fundit nga Uashingtoni dhe Pekini mund të jenë përpjekje për të forcuar pozicionet përpara bisedimeve të mundshme tregtare.
Ende nuk është e qartë nëse takimi mes Trump dhe Xi, i planifikuar gjatë një samiti në Korenë e Jugut më vonë këtë muaj, do të zhvillohet.