Një sulm me dron i Izraelit në jug të Libanit ka shkaktuar vdekjen e pesë personave, përfshirë tre fëmijë, njofton ministria libaneze e Shëndetësisë.

Katër nga të vrarët, përfshirë fëmijët dhe babanë e tyre, mbanin shtetësi amerikane, sipas Kryetarit të Parlamentit libanez, Nabih Berri, shkruan Sky News. Dy persona të tjerë mbetën të plagosur, përfshirë nënën e fëmijëve.

“Fëmijët në Liban paraqesin kërcënim ekzistencial për entitetin izraelit, apo është vetë sjellja e këtij entiteti, duke vrarë pa kufij dhe pa llogaridhënie, që kërcënon paqen ndërkombëtare?”, shtroi pyetjen ai, teksa bëri apel për reagim.

Reklamë

Ndërkohë, forcat izraelite kanë reaguar duke thënë se synimi i tyre ishte një militant i Hezbollah-ut që vepronte brenda një zone civile.

“IDF do të vazhdojë të veprojë për të eliminuar çdo kërcënim ndaj shtetit të Izraelit”, thuhet në deklaratën e tyre.

Presidenti libanez Joseph Aoun, i cili ndodhet në New York para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dënoi sulmin dhe bëri thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Izraelit.

“Nuk ka paqe mbi gjakun e fëmijëve tanë”, deklaroi ai.

Sulmi rikthen tensionet në rajonin e jugut të Libanit, ku konflikti midis Hezbollah-ut dhe Izraelit ka shkaktuar rreth 4 mijë të vdekur dhe ka zhvendosur banorë në zonat jugore dhe lindore të vendit.

Reklamë

Pavarësisht marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA-të për tërheqjen e forcave dhe ndalimin e sulmeve, Izraeli vazhdon të mbajë pesë pika kyçe në kufi dhe shpesh synon militantët dhe infrastrukturën e Hezbollah.

Nga ana tjetër, Hezbollah argumenton se prej sulmeve të vazhdueshme, ata duhet të jenë të armatosur dhe të monitorojnë territorin.