Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi të premten se nuk do të tradhtojë interesat e Ukrainës gjatë procesit të paqes të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Ai paralajmëroi se vendi po përballet me një zgjedhje të vështirë mes ruajtjes së një partneri kyç si SHBA-të dhe dinjitetit kombëtar, në një nga momentet më të rrezikshme të historisë së tij.
Sipas burimeve të afërta me procesin, plani 28-pikësh i paraqitur nga Uashingtoni mbështet disa nga kërkesat e Moskës dhe lë të paqarta garancitë e sigurisë për Kievin. Të njëjtat burime thanë për Reuters se SHBA-të kanë kërcënuar të ndërpresin ndihmën thelbësore për Ukrainën nëse Kievi nuk pranon kornizën e propozuar.
Në një deklaratë, Zelensky u shpreh se do të vazhdojë punën me SHBA-të për këtë plan, por paralajmëroi se ditët në vijim do të ketë presion të shtuar politik. Ai u bëri thirrje ukrainasve të qëndrojnë të bashkuar përballë asaj që e cilësoi si përpjekje të reja të Rusisë për të minuar procesin e paqes.
“Ky është një nga momentet më të vështira të historisë sonë. Presioni mbi Ukrainën është ndër më të rëndit. Ukraina mund të përballet me një zgjedhje shumë të rëndë: Ose të humbasë dinjitetin, ose të rrezikojë humbjen e një partneri të madh”, tha ai.
Ndërkohë, Rusia po avancon gradualisht në front dhe po godet infrastrukturën energjetike të Ukrainës me raketa dhe dronë, në një kohë kur në vend po zhvillohet një krizë politike e brendshme për shkak të një hetimi të gjerë korrupsioni që përfshin zyrtarë të lartë dhe figura të biznesit.
Sipas propozimeve të paraqitura nga Uashingtoni, Ukraina duhet të dorëzojë territore shtesë, të zvogëlojë ndjeshëm ushtrinë dhe të mos lejohet të anëtarësohet në NATO.