Pas një periudhe të gjatë me mungesë të reshjeve të mjaftueshme atmosferike, një ciklon i ri që pritet të krijohet në jug të Italisë do të sjellë reshje më intensive shiu në Kosovë dhe vendet e rajonit në fillim të javës së ardhshme.
Sipas parashikimit të MeteoBallkan, cikloni pritet të fuqizohet gjatë ditëve të para të javës, duke krijuar kushte për reshje shiu në të gjitha viset e Kosovës.
Gjatë fundjavës parashihen vranësira dhe reshje të herëpashershme, kryesisht lokale. Të dielën priten reshje pak më intensive, por jo në të gjitha rajonet.
Ndërkaq, reshjet më intensive në Kosovë, sipas parashikimeve aktuale, pritet të regjistrohen të hënën në mbrëmje dhe të martën në mëngjes. Megjithatë, sasia dhe koha e reshjeve mund të ndryshojnë varësisht nga pozicioni dhe rrugëtimi i ciklonit.
Reshje të reja bore priten edhe në malet më të larta, ku lokalisht mund të jenë mjaft intensive.
Përveç Kosovës, cikloni pritet të sjellë reshje të dendura shiu edhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi. Reshje intensive parashihen edhe në Bosnjë e Hercegovinë, Greqi dhe Serbi, ndërsa më pas sistemi pritet të zhvendoset drejt Bullgarisë dhe Turqisë.
Sipas MeteoBallkan, reshjet nuk do të jenë të vazhdueshme, por do të ndërpriten herë pas here, duke krijuar edhe periudha të shkurtra pa shi.