Sulmet ruse po tregojnë një forcë shkatërruese në rritje dhe po godasin qëllimisht makinerinë ushtarake, që ushqen rezistencën ukrainase.
Pavarësisht raportimeve nga Kievi, që pretendojnë një numër të lartë të raketave dhe dronëve të interceptuar, po rritet bindja se në muajt e fundit, dronët dhe raketat ruse po shkaktojnë dëme gjithnjë e më të mëdha.
Qëllimi kryesor i Kremlinit në gusht dhe shtator kanë qenë fabrikat ushtarake dhe depot e shpërndarjes së materialeve të ardhura nga jashtë, të cilat shpesh ndodhen brenda qendrave tregtare – si ajo që u shkatërrua dje në periferi të Lvivit.
“Financial Times” theksoi se vetëm në gusht ka pasur të paktën katër sulme të mëdha, ndaj kompanive që prodhojnë mjete ajrore pa pilot. Në këto raste, gjeneralët rusë përdorin armët më të avancuara: raketat balistike Iskander-M, raketat hipersonike Kinzhal dhe raketat cruise KH-101.
Në sulmin e natës së shtunë u hodhën plot 53 raketa: një breshëri e tmerrshme që përballet me mbrojtje ajrore gjithnjë e më të dobëta. Reagimi ukrainas duket se po humbet efikasitetin. Përqindja e raketave balistike, si Iskander-M, që arrijnë të rrëzohen, ka rënë në mënyrë dramatike: nga 37% në gusht në vetëm 6% në shtator. Një krizë që vjen për dy arsye:
Bllokimi i ndihmave falas amerikane – të zëvendësuara nga mekanizmi i ri i shitjeve të propozuar nga Trump dhe të paguara nga vendet evropiane – ka ngadalësuar furnizimin me sistemet Patriot: bateritë më moderne tokë-ajër kanë mbetur pa municione.
Në të njëjtën kohë, inxhinierët rusë kanë përmirësuar sistemet e tyre të sulmit: raketat ndryshojnë drejtim gjatë fluturimit, përdorin mashtrime elektronike për të ngatërruar radarët e Patriot-it ose lëshojnë “topa zjarri” për të shmangur raketat ndjekëse me drejtim infra të kuq.
Edhe dy baza ajrore të Kievit kanë pësuar bombardime të rënda, të kryera me raketat hipersonike Kinzhal, duke shkaktuar një ngadalësim të aktiviteteve të avionëve luftarakë ukrainas.
Shtamat me qindra dronë përdoren për të angazhuar mbrojtjen ajrore, shpesh të detyruar të rrëzojnë “karremat” pa eksploziv, ndërsa dronët e tjerë godasin objektiva civile me mbrojtje më të dobët.
Dronët Shahed-Geran drejtohen kundër rrjeteve energjitike ukrainase, të cilat janë bërë sërish objektiva prioritare: prej një jave ka sulme në të gjitha qytetet, që shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike dhe ngrohjes.
Kjo ka ndodhur edhe më parë, por këtë herë sulmet ruse duken edhe më shkatërruese: godasin gazsjellësit, termocentralet, kabinat e transformimit dhe shtyllat e tensionit të lartë. Në disa raste, lëshohen dy vale sulmesh me dronë me një distancë prej 20-30 minutash nga njëra-tjetra, për të goditur edhe teknikët e riparimeve dhe ekipet e ndihmës.
Përveçse e lë popullsinë dhe industrinë pa energji, këto sulme janë edhe një hakmarrje për fushatën ukrainase me bomba fluturuese, që po dëmtojnë rafineritë ruse dhe po krijojnë probleme me furnizimin në pikat e karburantit në shumë qytete – një goditje e dyfishtë për Kremlinin, që dëmton si imazhin, ashtu edhe financat e regjimit të Putinit.
Edhe sulmet ndaj trenave – e vetmja “zonë e lirë” që ishte respektuar në 40 muaj lufte – duken si një kundërpërgjigje ndaj bombardimeve ukrainase mbi stacione, binarë dhe depo hekurudhore, me qëllim parandalimin e një ofensive verore.
Në përshkallëzimin e situatës të sulmeve mbi energjinë, lind frika se Putini mund të shkojë shumë larg: Moska po godet edhe centralet bërthamore. Pasi shkëputi nga rrjeti elektrik ukrainas centralin e pushtuar në Zaporizhzhia, brenda një jave ka sulmuar edhe dy impiante të tjera bërthamore: nuk goditen reaktorët, por linjat e transmetimit të energjisë.
Ekziston një rrezik, që deri tani inxhinierët ukrainas kanë arritur ta shmangin: kolapsi i sistemit elektrik kombëtar, që mund të shkaktojë një blackout total. Një skenar që do të vinte në rrezik edhe sigurinë e impianteve bërthamore, të kërcënuara edhe nga raketat që bien vetëm 800 metra larg tyre. Një tjetër makth që shfaqet në kufijtë lindorë të Evropës.