Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur lëshimin e mijëra dokumenteve të shumëpritura të Jeffrey Epsteinit, abuzuesit seksual të vajzave të mitura, që kishte lidhje të fuqishme me politikanë, akademikë e biznesmenë të rangut të lartë.
Publikimi vjen pas miratimit nga Kongresi të Ligjit për Transparencën e Dosjeve Epstein, i cili detyron Departamentin e Drejtësisë të bëjë publike të gjitha materialet e paklasifikuara që lidhen me hetimin dhe ndjekjen penale të Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza federale për trafikim seksual të të miturve.
Ndër fotografitë e sapolansuara përfshihen ato të ish-presidentit Bill Clinton duke notuar në një pishinë. Fotografitë s’mbajnë datë dhe detaje se ku janë shkrepur.
Aty përfshihen edhe yje si Mick Jagger e Michael Jackson.
Pak ditë para votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, ish-presidenti Donald Trump, i cili më herët kishte kundërshtuar ligjin dhe u kishte kërkuar republikanëve ta bllokonin, ndryshoi qëndrim dhe u bëri thirrje ligjvënësve republikanë ta mbështesnin. Më 19 nëntor, Trump njoftoi se kishte firmosur ligjin, edhe pse si president kishte autoritetin t’i publikonte vetë dokumentet, por nuk e kishte bërë.
Megjithatë, ligji nuk garanton transparencë të plotë. Ai përfshin përjashtime, duke lejuar që të mos publikohen materiale që mund të rrezikojnë hetime federale ende aktive. Gjithashtu, brenda 15 ditëve nga publikimi, Departamenti i Drejtësisë duhet t’i paraqesë Kongresit një listë të dokumenteve të publikuara dhe të mbajtura, një përmbledhje të redaktimeve të bëra, si edhe një listë të zyrtarëve qeveritarë dhe personave politikisht të ekspozuar që përmenden në materiale.
Ekspertët kanë paralajmëruar se dokumentet e publikuara mund të mos japin një pasqyrë të plotë të krimeve të Epstein apo të rrjetit të tij, duke lënë ende shumë pyetje pa përgjigje.
Zëvendësprokurori i përgjithshëm, Todd Blanche, deklaroi se pritej publikimi i “qindra mijëra dokumenteve” në ditën e parë, ndërsa të tjera do të bëhen publike gjatë javëve në vijim.
Gjatë fushatës së vitit 2024, Trump ishte zotuar se do t’i publikonte dosjet e Epstein. Por më vonë, administrata e tij u përball me kritika të ashpra pasi Departamenti i Drejtësisë njoftoi se nuk do të publikonte dokumente shtesë dhe deklaroi se nuk ekzistonte ndonjë “listë klientësh”, pavarësisht deklaratave të mëparshme të prokurores së përgjithshme, Pam Bondi.
Kjo nxiti reagime të forta dypartiake dhe ringjalli vëmendjen ndaj lidhjeve të mëparshme të Trump me Epstein, me të cilin kishte pasur marrëdhënie shoqërore për rreth 15 vite. Trump ka mohuar vazhdimisht çdo dijeni apo përfshirje në aktivitetet kriminale të Epstein, duke e quajtur publikimin e dosjeve një “mashtrim” të udhëhequr nga demokratët.
Publikimi i dosjeve pritet të vazhdojë, ndërsa debati politik dhe publik rreth çështjes Epstein mbetet i ndezur.
Epstein ishte abuzues seksual i fëmijëve. Më 2005 ndaj tij nisën hetimet pas akuzave nga një prind se si mësimdhënës kishte abuzuar seksualisht me një vajzë 14-vjeçare. Fillimisht u dënua më 2008 e më pas u lirua pas 13 muajsh. Më 2019 u arrestua sërish. Gjatë gjykimit, u gjet i vdekur në qeli më 10 gusht 2019.


