Lufta në Ukrainë, tensionet në Kaukaz dhe lëvizjet e fundit diplomatike të Kremlinit po tregojnë se Rusia po hyn në një fazë të re pasigurie strategjike. Sipas analistëve, presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet të hapë një kanal të ri komunikimi me Evropën, ndërsa frika për destabilizim në kufijtë e Rusisë po rritet gjithnjë e më shumë.
Gjithçka nisi me pushtimin rus të Ukrainës, që Moska mendonte se do ta mbyllte brenda pak ditësh, por që është kthyer në një konflikt të gjatë dhe rraskapitës. Ndërkohë, në vitin 2023 Azerbajxhani sulmoi Armeninë dhe Jerevani kërkoi ndihmë nga Rusia, aleati i tij tradicional. Moska, e përfshirë plotësisht në luftën në Ukrainë, nuk arriti të reagojë si më parë.
Në këtë klimë tensioni, Armenia po afrohet gjithnjë e më shumë me Evropën. Javën e kaluar, Jerevani priti për herë të parë samitin e Komunitetit Politik Europian, ku mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Ky zhvillim shkaktoi reagim të ashpër nga Kremlini.
Putin deklaroi se Armenia duhet të vendosë nëse dëshiron të zgjedhë Evropën, duke paralajmëruar se edhe Rusia më pas do të marrë “zgjedhjet e saj”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, akuzoi Jerevanin se i dha Zelenskyt një platformë për deklarata “rusofobe”.
Presidenti rus shkoi edhe më tej, duke bërë një krahasim të drejtpërdrejtë me Ukrainën. “Gjithçka po shkon drejt një drejtimi ukrainas”, tha ai, duke kujtuar se sipas tij lufta nisi kur Kievi tentoi të afrohej me Bashkimin Evropian.
Megjithatë, pas deklaratave të fundit shihet edhe një shqetësim më i madh i Moskës. Lufta në Ukrainë dhe sanksionet ekonomike kanë krijuar pakënaqësi në disa ish-republika sovjetike. Armenia po kërkon afrimin me BE-në, ndërsa vende si Kazakistani dhe Uzbekistani po tregojnë gjithnjë e më shumë distancim ndaj Kremlinit.
Në Rusi ekziston një term historik që përmbledh frikën më të madhe të pushtetit: “Razdroblennost”, ose fragmentim. Frika nga humbja e ndikimit dhe afrimi i kundërshtarëve pranë kufijve konsiderohet si një nga arsyet kryesore që shtyn Kremlinin të mbajë një qasje agresive ndaj fqinjëve.
Për këtë arsye, analistët besojnë se Putini po shfaqet më i hapur ndaj negociatave me Evropën. Por në të njëjtën kohë, Moska nuk ka dhënë asnjë sinjal për të hequr dorë nga objektivat në Ukrainë.
“Kjo është lufta jonë dhe do ta fitojmë”, deklaroi së fundmi Peskov, duke konfirmuar se synimet ruse në Donbas mbeten të pandryshuara.
Edhe pse Putini, për herë të parë pas shumë kohësh, iu referua Zelenskyt me emër dhe jo me etiketime fyese, ekspertët paralajmërojnë se kjo nuk do të thotë ndryshim real strategjie. Sipas tyre, Europa tani duhet të kuptojë nëse Kremlini po kërkon vërtet një marrëveshje apo thjesht po fiton kohë.