Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur “mbështetjen e plotë” për kryeministrin François Bayrou, i cili pritet të përballet me një votë mosbesimi më 8 shtator. Një zhvillim që mund të çojë në rrëzimin e qeverisë franceze.

Macron drejtoi një mbledhje të kabinetit të tij këtë të mërkurë, 27 gusht, ndërsa vendi po përballet me një krizë të re politike. Zëdhënësja e qeverisë, Sophie Primas, deklaroi pas mbledhjes se presidenti qëndron fort pas Bayrou-së.

Ndërkohë Bayrou, njoftoi këtë javë se do t’i kërkojë parlamentit votëbesimin për paketën e tij të masave shtrënguese, që synon uljen e shpenzimeve publike dhe reduktimin e borxhit shtetëror.

Reklamë

Partitë opozitare janë zotuar se do të votojnë për rrëzimin e tij, ndërkohë që sondazhet tregojnë se Bayrou është kryeministri më pak i pëlqyer nga publiku që nga viti 1958. Propozimet e tij për një paketë kursimesh prej 44 miliardë eurosh përfshirë heqjen e dy festave publike dhe ngrirjen e shumicës së ndihmave sociale janë gjerësisht të papëlqyera.

Zëdhënësja Primas theksoi se Macron beson se situata e financave publike nuk duhet as të mohohet, as të dramatizohet dhe se opozita duhet të tregojë “përgjegjësi”. “Franca është një vend i fortë me ekonomi të qëndrueshme… por duhet të marrim në dorë fatin tonë,” u shpreh ajo.

Duke cituar fjalët e Macron-it në kabinet, Primas shtoi: Ky është një sinjal i fuqishëm që po u dërgojmë tregjeve financiare: duam një Francë edhe më të qëndrueshme.

Macron vazhdon të përballet me pasojat e krizës politike që nisi verën e kaluar, kur ai shpalli zgjedhje të parakohshme, të cilat rezultuan me një parlament të bllokuar dhe pa shumicë absolute. Asambleja Kombëtare mbetet e ndarë midis të majtës, ekstremit të djathtë dhe qendrës.

Michel Barnier, kryeministri i djathtë i emëruar nga Macron në shtatorin e kaluar për të bashkuar parlamentin e fragmentuar, u rrëzua pas vetëm tre muajsh në detyrë, kur propozimet e tij buxhetore u refuzuan. Bayrou e pasoi atë dhe mund të qëndrojë në detyrë vetëm nëntë muaj nëse qeveria bie përsëri.

Reklamë

Edhe nëse Macron emëron shpejt një kryeministër të ri, nuk ka garanci se ky i fundit do të arrijë të sigurojë një konsensus parlamentar për buxhetin e vitit të ardhshëm, për shkak të ndasive të thella politike.