Qeveria e Zvicrës njoftoi të mërkurën se synon t’i rrisë me më shumë se 1 miliard dollarë (860 milionë euro) investimet për mbrojtjen ajrore në vitin 2026, duke iu referuar niveleve në rritje të kërcënimit dhe afateve të gjata të dorëzimit, shkruan Euronews.
Për të garantuar afatet e dorëzimit të pajisjeve të mbrojtjes ajrore, qeveria “do t’i kërkojë parlamentit një fond shtesë prej 970 milionë frangash zvicerane” për buxhetin e vitit 2026, thuhet në një deklaratë pas mbledhjes së ministrave.
Në muajin mars, Berna kishte kërkuar fonde për programin e armatimeve të këtij viti në vlerën 3,4 miliardë frangash zvicerane (3,6 miliardë euro).
Qeveria theksoi se “operacionet hibride dhe sulmet me rreze të gjatë veprimi përbëjnë kërcënimet më të mundshme për Zvicrën”, duke paralajmëruar se “forcat e armatosura nuk i kanë burimet e nevojshme për të garantuar mbrojtje të mjaftueshme të vendit ndaj kërcënimeve ajrore”.
Gjithashtu, kjo nxori në pah situatën e tensionuar në tregun ndërkombëtar të armëve, mes kërkesës në rritje dhe kapacitetit të prodhimit “të ngopur” për vitet në vijim, duke shkaktuar kohë gjithnjë e më të gjata dorëzimi.
Përveç kësaj, u theksua se “prodhuesit kërkojnë gjithnjë e më shpesh parapagime të konsiderueshme, pa të cilat blerjet urgjente mund të vonoheshin për disa vite”.
Zvicra është në pritje të dorëzimit të një flote avionësh luftarakë amerikanë F-35A, por Berna dhe Uashingtoni kanë pasur mosmarrëveshje lidhur me çmimin përfundimtar të avionëve dhe porosia po përballet me vonesa.
Ky vend, neutral nga ana ushtarake, ka bërë të ditur gjithashtu se po shqyrton blerjen e një sistemi evropian të mbrojtjes tokë-ajër, i cili do të plotësonte sistemin “Patriot” të porositur nga Shtetet e Bashkuara dorëzimi i të cilit është vonuar.
Sipas qeverisë, shuma shtesë prej 970 milionë frangash do të përdoret për parapagimet e sistemeve të mbrojtjes tokë-ajër me rreze të shkurtër dhe të mesme, një radari gjysmë-stacionar me rreze të mesme, si dhe për kapacitete mbrojtëse kundër mini-dronëve.
Qeveria njoftoi se planifikon gjithashtu të investojë 100 milionë franga të tjera (106 milionë euro) në vitet e ardhshme për të forcuar urgjentisht sigurinë në më shumë se 60 objekte ushtarake, një detyrë që, sipas saj, duhet të përfundojë “jo më vonë se fillimi i vitit 2029”.
Parlamenti, i cili ende nuk e ka miratuar financimin shtesë, duhet gjithashtu të votojë për një rritje të konsiderueshme të kërkuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) deri në vitin 2040, me qëllim financimin e prioriteteve të ushtrisë për shpenzimet e mbrojtjes.
“Për t’iu kundërvënë kërcënimeve më të mundshme, veçanërisht operacioneve hibride dhe sulmeve me rreze të gjatë veprimi, ushtrisë do t’i duhen investime shtesë në armatime në vlerën 24 miliardë franga (25 miliardë euro) gjatë viteve të ardhshme,” deklaroi qeveria.