Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë reaguar të penduara pas lajmit për vrasjen e katër gazetarëve përmes një deklarate për shtyp.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit pendohen për çdo dëm të shkaktuar personave të pambrojtur dhe nuk i synojnë gazetarët si të tillë. IDF vepron për të zbutur dëmin ndaj personave të pambrojtur sa më shumë të jetë e mundur, duke mbajtur në të njëjtën kohë sigurinë e trupave të IDF-së,” thuhet në deklaratë, ku shtohet se kreu i shtabit të përgjithshëm ka urdhëruar kryerjen e një hetimi fillestar sa më shpejt të jetë e mundur, siç citon “Reuters“.

Megjithatë në deklaratë nuk u përmend se cilët ishin synimi i ushtrisë izraelite në sulmin e sotëm pranë Spitalit Nasser.

Reklamë

Ky reagim vjen pasi katër gazetarë mbetën të vrarë këtë të hënë, pas një sulmi izraelit ndaj Spitalit Nasser në pjesën jugore të Rripit të Gazës. Deri më tani flitet për rreth 20 viktima.

Mes të vdekurve ishte kameramani Hussam al-Masri, i cili gjithashtu punonte për agjencinë e lajmeve “Reuters“. Sipas “Reuters“, kameramani u vra në sulmin ndaj spitalit ndërsa po transmetonte në transmetim “live” imazhet e sulmit të parë. Si pasojë, imazhet u ndalën papritur. “Al Jazeera” konfirmoi se po ashtu mes të vrarëve ishte dhe fotografi i saj, Mohammad Salama.

Një burim mjekësor i cituar nga “Anadolu Agency” gjithashtu konfirmoi vdekjen e foto-reporteres Maryam Abu Daqqa.

Foto-reporteri tjetër i “NBC“-së Moaz Abu Taha u vra gjithashtu në sulmin izraelit që kishte si objektiv spitalin.