Arabia Saudite nisi shumë sulme të fshehta, që nuk u bënë publike, ndaj Iranit si hakmarrje për sulmet e kryera në mbretëri gjatë luftës në Lindjen e Mesme, thanë dy zyrtarë perëndimorë të informuar për çështjen dhe dy zyrtarë iranianë.
Sulmet saudite, të cilat nuk janë raportuar më parë, shënojnë herën e parë që dihet se mbretëria ka kryer drejtpërdrejt aksione ushtarake në territorin iranian dhe tregojnë se ajo po bëhet shumë më e guximshme në mbrojtjen ndaj rivalit të saj kryesor rajonal.
Siç raporton Reuters, sulmet, të kryera nga Forca Ajrore Saudite, vlerësohet se ndodhën në fund të marsit, thanë dy zyrtarët perëndimorë. Njëri prej tyre tha vetëm se bëhej fjalë për “sulme hakmarrëse, si kundërpërgjigje pasi Arabia Saudite ishte goditur”.
Reuters nuk arriti të konfirmojë se cilat ishin objektivat specifike.
Në përgjigje të kërkesës për koment, një zyrtar i lartë i ministrisë së Jashtme saudite nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse ishin kryer sulme.
Arabia Saudite, e cila ka marrëdhënie të ngushta ushtarake me Shtetet e Bashkuara, tradicionalisht është mbështetur te ushtria amerikane për mbrojtje, por lufta 10-javore e ka lënë mbretërinë të ekspozuar ndaj sulmeve që kanë depërtuar përtej mbrojtjes ushtarake amerikane.