Një avion luftarak francez i tipit Mirage 2000D është rrëzuar gjatë një fluturimi stërvitor në verilindje të Francës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën njërit prej anëtarëve të ekuipazhit, njoftuan të mërkurën Forcat Ajrore Franceze.

“Duket se të paktën njëri prej anëtarëve të ekuipazhit nuk ka arritur të katapultohet”, tha për radion “Franceinfo” zëdhënësi i Forcave Ajrore, koloneli David Papalardo, raporton “LeMonde” dhe AFP.

Ai bëri të ditur se njëri prej anëtarëve të ekuipazhit ishte një pilot i ri në trajnim, ndërsa tjetri një oficer armatimi me përvojë të madhe.

Reklamë

Henry Lemoine, një zyrtar që përfaqëson disa fshatra në zonën ku ndodhi aksidenti, njoftoi në Facebook se një dron kishte lokalizuar rrënojat e avionit dhe se ekipet e emergjencës ndodheshin në vendngjarje.

Avioni luftarak me dy ulëse Mirage 2000D hyri në shërbim në vitin 1993. Franca e ka përdorur atë në luftën në Kosovë më 1999, në Libi më 2011, si dhe në Afganistan, Irak, Siri dhe në rajonin Sahel të Afrikës.

Disa avionë të këtij modeli janë përfshirë në aksidente edhe më parë. Në janar të vitit 2019, të dy anëtarët e ekuipazhit të një avioni të këtij tipi humbën jetën gjatë një fluturimi natën në lartësi të ulët, në lindje të Francës.

Në korrik të vitit 2021, ekuipazhi i një avioni tjetër arriti të katapultohej para se mjeti ajror të rrëzohej pranë qytetit Nancy.

Franca sapo ka përfunduar një program modernizimi të flotës së saj të avionëve Mirage 2000D, të cilët synon t’i mbajë në shërbim edhe gjatë viteve 2030.

Reklamë