×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Rritje e re e çmimit të naftës në tregjet globale

    Reporteri
    18 Gusht 2026 | 15:44

    Çmimet e naftës së papërpunuar në bursat botërore kanë pësuar një rritje të re, teksa armëpushimi SHBA – Iran skadoi mbrëmë.

    Skadimi i afatit të armëpushimit dhe paqartësitë në rritje rreth Ngushticës së Hormuzit, pikë kyçe nga ku kalon një e pesta e furnizimit global, kanë bërë që çmimet e naftës të fluturojnë sërish në bursat ndërkombëtare. Në bursën e Londrës, nafta e papërpunuar Brent arriti sërish mbi nivelin e 90 dollarëve për fuçi, ndërsa në atë të Teksasit shkoi në rreth 85 dollarë, duke shënuar nivelin më të lartë që nga fillimi i gushtit.

    Rritja e çmimeve nxitet veçanërisht nga këmbëngulja e palëve në kushtet e tyre, me Teheranin që kërkon heqjen e bllokadës, zhbllokimin e pasurive dhe përfundimin e kërcënimeve ushtarake nga Uashingtoni. Ndërsa presidenti amerikan kërkon që Irani t’i japë fund programit bërthamor, si kusht për rihapjen e kalimit detar. Irani kërcënoi se mund të nisë nga momenti në moment një sulm të paprecedent kundër ushtrisë amerikane për thyerjen e bllokadës në Hormuz.

    Situata në terren mbetet tejet e tensionuar. Autoritetet detare raportuan se një anije tregtare u godit nga një predhë e panjohur në ngushticë. Në një bisedë telefonike, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i ofroi Trump-it ndërmjetësim me Iranin për zgjidhjen e krizës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!