×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    SHBA dhe Irani shkëmbejnë sulme pranë Ngushticës së Hormuzit – Trump thotë se armëpushimi po vazhdon

    Reporteri
    08 Maj 2026 | 10:04

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani shkëmbyen sulme pranë Ngushticës së Hormuzit të enjten, duke shtuar tensione të reja ndaj armëpushimit dhe duke ngritur pikëpyetje mbi negociatat për t’i dhënë fund luftës, raporton NBC News, përcjell Reporteri.net.

    Disa orë më vonë, Emiratet e Bashkuara Arabe, një aleat kyç i SHBA-së në Gjirin Persik, tha se po i përgjigjej një sulmi me raketa dhe dronë.

    Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi në Truth Social, se sulmet ndodhën ndërsa tre anije ushtarake amerikane po kalonin përmes ngushticës.

    “…pati dëme të mëdha për sulmuesit iranianë. Ata u shkatërruan plotësisht së bashku me shumë varka të vogla”, ka thënë Trump.

    Sulmet nxorën në pah brishtësinë e armëpushimit në zonën përreth Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës dikur kalonte 20% e naftës botërore para se SHBA-ja dhe Izraeli të sulmonin Iranin më 28 shkurt.

    Asnjë anije nuk kaloi nëpër ngushticë të enjten, dita e dytë radhazi që kjo rrugë ujore kritike nuk pati fare trafik.. Kjo është gjithashtu hera e parë që nga 12-13 marsi që ka dy ditë radhazi pa trafik detar.

    Trump tha në një intervistë për ABC News të enjten se armëpushimi po vazhdon dhe është në fuqi.”

    “Ishte vetëm një goditje e lehtë”, shtoi Trump.

    Më vonë, Trump u tha një grupi gazetarësh se bisedimet për paqe me Iranin “po ecin shumë mirë, por ata duhet ta kuptojnë se nëse nuk nënshkruhet marrëveshja, do të përballen me shumë vuajtje.”

    Trump tha se Iranit i ishte paraqitur një propozim që përfshinte një marrëveshje sipas së cilës ai nuk do të zotëronte armë bërthamore dhe do t’ia dorëzonte SHBA-së “pluhurin bërthamor”.

    “Po, ata kanë rënë dakord. Por kur bien dakord, kjo nuk do të thotë shumë, sepse ditën tjetër harrojnë” tha ai./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!