Ushtria amerikane thotë se ka goditur tre cisterna nafte të lidhura me Iranin, pasi raketa balistike u lëshuan drejt dy anijeve luftarake amerikane në rajon.

Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha të shtunën se kishte “nxjerrë përgjithmonë jashtë funksionit” një cisternë pranë ishullit Kharg dhe një tjetër pranë ngushticës së Hormuzit, ndërsa një të tretën e kishte “shkatërruar plotësisht” në Gjirin e Omanit.

Centcom tha se kishte “shmangur me sukses” sulme të shumta nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), të cilat kishin në shënjestër një aeroplanmbajtëse amerikane dhe një destrojer të pajisur me raketa të drejtuara. Në deklaratë thuhet se asnjë ushtar amerikan nuk u lëndua.

Reklamë

Mediat shtetërore iraniane raportuan më herët se një prej cisternave të naftës së vendit ishte goditur nga raketat amerikane në brigjet e ishullit Kharg.

“Le të jetë i qartë mesazhi për IRGC-në: Nëse qëlloni ndaj dy prej anijeve tona, ne do t’ju imponojmë një kosto edhe më të madhe ekonomike – duke nxjerrë jashtë funksionit tri prej tuajave”, tha admirali Brad Cooper, komandanti i Centcom-it.

“Ne nuk do të hezitojmë të mbrojmë forcat amerikane dhe, nëse është e nevojshme, të shkatërrojmë flotën e kufizuar dhe të ekspozuar të naftës së Iranit.”

Sulmet vijnë gati një javë pas rifillimit të përplasjeve mes SHBA-së dhe Iranit, pas një muaji qetësie relative mes palëve ndërluftuese.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme të gjera ndaj Iranit më 28 shkurt, ndërsa Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar Izraelin, bazat amerikane dhe shtetet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, duke e mbyllur praktikisht ngushticën e Hormuzit për trafikun detar./Reporteri.net/

Reklamë