Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, po shqyrton mundësinë që të mos kandidojë për president të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e vitit 2028, pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit dhe zhvillimeve të fundit politike.
Sipas një raportimi të CNN, Vance ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e tij politike.
Rreth një duzinë aleatësh dhe këshilltarësh të tij kanë bërë të ditur se zgjerimi i familjes dhe përçarjet brenda lëvizjes MAGA janë ndër faktorët që po ndikojnë në vendimin e tij.
“Nuk do të befasohesha nga asnjë vendim që ai merr. Është vetëm 42 vjeç dhe ka ende kohë për t’u rikthyer. Ndoshta ky nuk është momenti i tij”, tha një burim për CNN.
Një tjetër faktor që po ndikon në planet politike të Vance është lufta në Iran, të cilën ai e ka përmendur si një nga arsyet kryesore të humbjes së mbështetjes për republikanët në zgjedhjet e mesmandatit.
Sipas raportimit, demokratët kanë marrë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit, ndërsa deklaratat e Vance për ndikimin e luftës në rezultatet zgjedhore thuhet se kanë shkaktuar pakënaqësi te presidenti Donald Trump.
Pyetja nuk është nëse JD mund t’ia dalë. Pyetja është nëse ndonjë republikan mund të fitojë në vitin 2028, nëse lufta në Iran vazhdon”, deklaroi një aleat i tij.
Megjithatë, burime pranë zëvendëspresidentit këmbëngulin se kandidimi mbetet një mundësi reale, ndërsa disa besojnë se ai mund të vendosë përfundimisht të hyjë në garë.
Edhe lindja e fëmijës së katërt me bashkëshorten e tij, Usha Vance, përmendet si një faktor që mund ta shtyjë vendimin.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump ende nuk e ka mbështetur publikisht kandidaturën e mundshme të Vance.
I pyetur gjatë një interviste për emisionin 60 Minutes nëse do ta mbështeste zëvendëspresidentin e tij, Trump u përgjigj:
“Me gjasë. Jo domosdoshmërisht. Ndoshta është më mirë të mos përfshihem”.
Pavarësisht pasigurisë, aleatët e Vance vazhdojnë ta konsiderojnë atë një kandidat të mundshëm për nominimin republikan në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.