Të paktën 13 punëtorë kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur nga një rrëshqitje dheu në një minierë të palicencuar ari në jug të Kolumbisë.
Aksidenti ndodhi të mërkurën pasdite në një minierë artizanale pranë Policarpa-s, në provincën Narino, ku dhjetëra persona punonin për nxjerrjen e arit. Sipas dëshmitarëve, pak para tragjedisë u dëgjua një zhurmë e fortë, e ngjashme me një shpërthim, ndërsa punëtorët ndodheshin në pjesën e poshtme të minierës.
Megjithatë, një zyrtar lokal tha se nuk bëhej fjalë për një shpërthim, por se rrëshqitja fatale ishte shkaktuar nga aktiviteti minerar. Dheu dhe materialet e shkëmbinjve u shembën mbi punëtorët, duke i zënë ata nën masivin e dheut.
Ekipet e emergjencave mbërritën në vendngjarje dhe nisën menjëherë operacionet e kërkim-shpëtimit. Me ndihmën e ekskavatorëve dhe mjeteve të tjera të rënda, ekipet arritën të nxjerrin trupat e viktimave nga zona e shembur. Shtatë persona të plagosur u dërguan për të marrë ndihmë mjekësore.
Tragjedia ka tronditur komunitetin lokal, pasi banorët thonë se rreth 50 persona punonin rregullisht në këtë minierë. Shumica e tyre ishin pjesëtarë të komunitetit indigjen Quillacinga, për të cilët nxjerrja artizanale e arit përbën një burim të rëndësishëm të ardhurash.
Sipas dëshmitarëve, katër prej 13 viktimave i përkisnin të njëjtës familje indigjene.
Aksidente të tilla janë të shpeshta në Kolumbi, veçanërisht në minierat e palicencuara dhe artizanale, ku mungojnë shpesh kontrollet zyrtare dhe masat e nevojshme të sigurisë. Punëtorët përballen me rrezikun e shembjeve, rrëshqitjeve të dheut dhe aksidenteve të tjera gjatë kërkimit të metaleve të çmuara.
Vlerësohet se në Kolumbi nga 200 mijë deri në 400 mijë persona merren me miniera artizanale. Për shumë familje, kjo veprimtari është një mënyrë jetese dhe një burim i domosdoshëm të ardhurash, pavarësisht rreziqeve të mëdha.