×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Spiunazh dhe sabotazh, 31-vjeçari britanik akuzohet për ndihmë ndaj Rusisë

    Reporteri
    10 Shtator 2026 | 18:34

    Një 31-vjeçar nga Swindon, në jug të Anglisë, është paraqitur në gjykatë në Londër, pasi akuzohet se ka kaluar informacione për fabrikat e prodhimit të dronëve te persona të lidhur me inteligjencën ushtarake ruse.

    Joshua Cammidge është akuzuar për dy vepra penale në bazë të Ligjit britanik për Sigurinë Kombëtare. Prokuroria e akuzon për ndihmë ndaj një shërbimi të huaj inteligjence dhe për përgatitje për kryerjen e një akti sabotazhi. Sipas akuzave, Cammidge ka dërguar pamje nga Google Maps, ku kishte shënuar vendndodhjen e një fabrike dronësh dhe katër objekte të tjera që lidhen me prodhimin e tyre në Swindon.

    Prokurorët thonë gjithashtu se 31-vjeçari kishte ofruar të kryente vetë një akt sabotazhi. Ai dyshohet se kishte kërkuar informacione për një pajisje që mund të bllokojë sinjalet Wi-Fi dhe se kishte vizituar personalisht disa prej objekteve.

    Sipas Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës në Britani, informacionet dyshohet se i janë dhënë një personi që besohet të ketë lidhje me të ashtuquajturin GRU Volunteer Corps, grup që autoritetet britanike e përshkruajnë si të kontrolluar nga shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse, GRU.

    Hetuesit thonë se veprimet e dyshuara kanë ndodhur nga fundi i marsit deri në fillim të shtatorit të këtij viti. Frank Ferguson, prokuror i lartë në sektorin e krimeve të rënda dhe kundër terrorizmit, tha se vendimi për ndjekjen penale u mor pas një hetimi të kryer nga policia kundër terrorizmit.

    Cammidge nuk pranoi të deklarohej në seancën e zhvilluar në Westminster Magistrates’ Court dhe u la në paraburgim. Çështja është dërguar në Old Bailey, gjykata kryesore penale e Londrës, ku ai pritet të paraqitet sërish më 25 shtator.

    Rasti vjen në një periudhë tensionesh të larta mes Britanisë dhe Rusisë. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë dëmtuar prej vitesh nga raste të tjera, përfshirë helmimin e Alexander Litvinenkos në vitin 2006 dhe sulmin me agjent nervor në Salisbury në vitin 2018 ndaj ish-oficerit rus Sergei Skripal.

    Britania është një nga mbështetëset kryesore evropiane të Ukrainës që prej pushtimit rus të vitit 2022. Ndërkohë, Swindon është kthyer në një qendër të rëndësishme për prodhimin e dronëve ushtarakë në Britani, duke e bërë zonën me interes të veçantë për autoritetet e sigurisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!