Të paktën 25 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në të gjithë Rripin e Gazës, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
BBC shkruan se dhjetë persona, përfshirë një grua dhe një vajzë të vogël, u vranë kur një godinë e ministrisë së vakëfeve fetare në lagjen lindore Zeitoun të qytetit të Gazës u godit.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur “objektiva terroriste të Hamasit” pasi persona të armatosur kishin hapur zjarr ndaj një zone ku ushtarët izraelitë po operonin në qytetin jugor Khan Younis, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit pesë-javor. Hamasi nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.
Përshkallëzimi i dhunës vjen pas miratimit nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të një rezolute që mbështet planin e paqes për Gazën të presidentit amerikan Donald Trump, për t’i dhënë fund dy viteve të luftës shkatërruese.
Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile në Gaza, Mahmoud Bassal, tha për BBC-në se sulmet ajrore, me dronë dhe artileri izraelite goditën disa zona në qytetin e Gazës dhe Khan Younis menjëherë pas perëndimit të diellit të mërkurën. Ai tha se sulmet përbëjnë një përshkallëzim të ndjeshëm pas disa ditësh qetësie relative.
Mbrojtja Civile raportoi se sulmi në Zeitoun shkaktoi dëme të rënda në godinën e ministrisë së vakëfeve fetare dhe në ndërtesat përreth, duke publikuar një video ku punonjësit e shpëtimit duket se gjejnë dy persona të varrosur nën rrënoja.
Në një incident tjetër në qytetin e Gazës, një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën kur një dron goditi një grup njerëzish në kryqëzimin Shejaiya, në rrugën Salah al-Din (arteria kryesore veri-jug e Gazës), sipas Bassal.
Në Khan Younis, tre persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga një sulm ndaj një grupi brenda një klubi sportiv të drejtuar nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).
Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se “disa terroristë hapën zjarr ndaj zonës ku operonin ushtarët e IDF në Khan Younis” më herët të mërkurën.
Të hënën, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë që synon të forcojë armëpushimin e brishtë, i cili hyri në fuqi më 10 tetor.
Shtetet anëtare autorizuan krijimin e një organi të përkohshëm qeverisës të quajtur Bordi i Paqes, i cili do të kryesohet nga presidenti Trump, si dhe një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), e cila do të ketë për detyrë të sigurojë “procesin e çmilitarizimit të Rripit të Gazës”.
Trump e përshkroi rezolutën si “një moment me rëndësi historike të vërtetë”.
Në një deklaratë, Hamasi përsëriti se nuk do të dorëzojë armët pa një shtet palestinez, duke argumentuar se lufta e tij kundër Izraelit është “rezistencë” legjitime.