Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit ka njoftuar se dy avionë ushtarakë rusë të tipit Tu-95 kanë fluturuar pranë pjesës lindore të ishullit të enjten, pasi fillimisht ishin afruar nga jugu. Ky është incidenti i dytë i raportuar i këtij lloji brenda javës.

Fluturimet janë zhvilluar në kohën kur presidenti rus, Vladimir Putin, ndodhet në Shenzhen të Kinës për samitin e APEC-ut, ku pritet të marrë pjesë edhe në një takim trepalësh me presidentin kinez, Xi Jinping, dhe atë amerikan, Donald Trump.

Sipas ministrisë tajvaneze, dy avionët Tu-95, të njohur në terminologjinë e NATO-s me emrin “Bear”, hynë në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Tajvanit (ADIZ), përpara se të largoheshin në drejtim të verilindjes së ishullit, pranë qytetit portual Keelung.

Reklamë

Ministria publikoi edhe një fotografi të njërit prej avionëve, për të cilën tha se ishte realizuar nga një aeroplan luftarak tajvanez F-16, transmeton Telegrafi.

Forcat e armatosura të Tajvanit përdorën mjete të përbashkëta të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit për të monitoruar të gjithë aktivitetin dhe “reaguan në mënyrën e duhur”, thuhet në një komunikatë të shkurtër të ministrisë.

Të martën, Tajvani kishte raportuar se dy avionë ushtarakë rusë kishin fluturuar përgjatë bregdetit të tij lindor, në drejtim të jugut. Të njëjtën lëvizje e kishte raportuar edhe Japonia, e cila publikoi një hartë që tregonte trajektoren e avionëve përgjatë bregdetit lindor të Tajvanit.

Tu-95 është një model i vjetër i periudhës së Luftës së Ftohtë. Disa avionë të këtij tipi mund të bartin armë bërthamore, ndërsa të tjerë përdoren për mbikëqyrje dhe zbulim në distanca të gjata.

Ndërkohë, më herët të enjten, i dërguari i Tajvanit në samitin e APEC-ut, Stan Shih, themelues i kompanisë së kompjuterëve Acer, shkëmbeu për pak çaste një shtrëngim duarsh me Putinin në fillim të samitit.

Reklamë

Tajvani, një nga prodhuesit kryesorë të gjysmëpërçuesve në botë, është bashkuar me vendet perëndimore në vendosjen e sanksioneve të gjera ekonomike ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.

Ndërkohë, ushtria kineze zhvillon pothuajse çdo ditë aktivitete ushtarake në afërsi të Tajvanit.

Pekini e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të tij, qëndrim të cilin Rusia e ka mbështetur vazhdimisht. Qeveria tajvaneze i kundërshton pretendimet e Kinës për sovranitet, duke theksuar se vetëm banorët e ishullit kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre.