Të paktën 100 persona kanë humbur jetën si pasojë e një rrëshqitjeje dheu në një minierë ari të paligjshme në pjesën perëndimore të Republikës së Afrikës Qendrore, pranë kufirit me Kamerunin, sipas burimeve lokale të cituara nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP).
Tragjedia ndodhi të martën rreth orës 14:00 sipas kohës lokale, në minierën artizanale të arit në Zamboyé, rreth 50 kilometra nga qyteti i Baboua.
Rrëshqitja e dheut shkaktoi shembjen e një pjese të minierës, duke zënë nën vete një numër të madh personash që ndodheshin në zonë.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa autoritetet dhe ekipet në terren po përpiqen të përcaktojnë përmasat e plota të tragjedisë. Bilanci i viktimave mund të ndryshojë ndërsa vazhdojnë kërkimet.
Minierat artizanale dhe aktiviteti i paligjshëm i nxjerrjes së arit janë të përhapura në disa zona të Republikës së Afrikës Qendrore, ku kushtet e punës dhe masat e sigurisë janë jashtë çdo lloj standardi të kërkuar. /tvklan