×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Tronditje për qeverinë spanjolle, ish-bashkëpunëtori i kryeministrit Sanchez dënohet me 24 vjet burg për korrupsion

    Reporteri
    22 Qershor 2026 | 17:49

    Ish-ministri i Transportit i Kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez, Jose Luis Abalos, u dënua të hënën me 24 vjet burg për një sërë veprash penale që lidhen me korrupsionin. Ky është vendimi i parë në një seri çështjesh gjyqësore të lidhura me partine spanjolle në pushtet, raporton Reuters, përcjell Reporteri.net.

    Dënimi pasqyroi grumbullimin e veprave penale të kryera, përfshirë marrjen e ryshfeteve nga blerjet e maskave mbrojtëse gjatë pandemisë së COVID-19, si dhe dëmin ndaj besimit publik që shkaktoi fakti se një ministër i rangut të Abalosit kishte shkelur rregullat, sipas vendimit të Gjykatës Supeme të Spanjës.

    “Një shoqëri që e percepton se ata që mbajnë pozita pushteti veprojnë të udhëhequr nga interesa private, ose nga interesa që nuk kanë lidhje me shërbimin publik… përjeton një humbje të legjitimitetit institucional, gjë që cenon stabilitetin e vetë sistemit”, thuhet në vendimin e gjykatës.

    Megjithatë, sipas ligjit spanjoll, koha efektive që ai do të kalojë në burg është e kufizuar në rreth 16 vjet e gjysmë.

    Ky dënim vjen në një kohë kur persona të afërt me kryeministrin Sanchez po hetohen ose po gjykohen për korrupsion, përfshirë bashkëshorten dhe vëllain e tij, si edhe një ish-kryeministër socialist me ndikim.

    Deri më sot, asnjë prej këtyre çështjeve nuk e ka përmendur Sanchezin si të pandehur. Ai erdhi në pushtet tetë vjet më parë duke rrëzuar një qeveri të qendrës së djathtë të goditur nga skandale korrupsioni, me premtimin për të pastruar politikën nga korrupsioni.

    Opozita kërkon dorëheqjen

    Menjëherë pas vendimit, lideri i opozitës, Alberto Nunez Feijoo, kërkoi dorëheqjen e Sanchez.

    “Me çfarë legjitimiteti mund të qëndrojë në pushtet? Asnjë. Ky është fundi i rrugës”, deklaroi ai, duke theksuar se qeveria nuk ka arritur të miratojë as buxhetin.

    Sanchez, i njohur për qëndrueshmërinë e tij në situata të vështira, ka refuzuar deri tani të japë dorëheqjen apo të shpallë zgjedhje të parakohshme.

    Ndërkohë, presioni ndaj qeverisë është shtuar edhe nga hetimet ndaj bashkëshortes së tij, Begona Gomez, dhe vëllait, David Sanchez.

    Gomez pritet të dalë në gjyq me juri për dyshime se ka përfituar nga pozicioni i saj për interesa private, ndërsa ndaj saj është vendosur edhe ndalimi i daljes jashtë vendit. Nga ana tjetër, David Sanchez po gjykohet për përfitim të një posti publik në mënyrë preferenciale.

    Në të njëjtën linjë, edhe ish-kryeministri Jose Luis Rodriguez Zapatero është vënë nën hetim për ndikim të paligjshëm në një çështje që lidhet me një kompani ajrore.

    Pavarësisht situatës, Sanchez i ka cilësuar të gjitha akuzat si të motivuara politikisht dhe pritet të japë sqarime në Parlament në ditët në vijim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!