Donald Trump shprehu zhgënjim me Vladimir Putinin që nuk po ndërmerrte hapat që ai priste për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Mendova se do të ishte më e lehtë për shkak të marrëdhënies sime me presidentin Putin, por ai më ka zhgënjyer. Ai vazhdon të vrasë njerëz dhe po humb më shumë ushtarë rusë se sa ukrainasit. Kjo mund të kishte qenë lufta e tretë botërore, por nuk është e tillë tani. Shpresoj se do të kemi disa lajme të mira për ju së shpejti. Gjithçka do të bëhet në mënyrën e duhur. Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës do të përfundojë,” tha Trump.

Megjithatë, ai si gjithmonë nuk tregoi se si do të reagojë. Kryeministri britanik, Keir Starmer, që ndodhej pranë tij në konferencën e përbashkët për shtyp në ditën e dytë të vizitës së shefit të Shtëpisë së Bardhë në Londër, mbajti të njëjtin qëndrim si liderët e tjerë europianë dhe Volodimir Zelenski:

Reklamë

“Duhet të shtojmë presionin ndaj Rusisë.”

Ndryshe nga qëndrimet që kanë nisur të përputhen për Ukrainën, dallimet janë të theksuara mes tyre për njohjen e shtetit të Palestinës si zgjidhje përfundimtare të konfliktit me Izraelin.

“Me kryeministrin kemi dallime për këtë çështje. Nuk do t’i kërkoj Izraelit të ndalojë veprimin ushtarak derisa pengjet të mos lirohen. Hamasi përdor civilët si mburoja njerëzore. Mos harroni 7 tetorin 2023, ditën e masakrave ndaj popullit izraelit,” tha Trump.

“Në Lindjen e Mesme është e domosdoshme një armëpushim nga Izraeli në Rripin e Gazës, i shoqëruar me lirimin e pengjeve që mbahen ende nga Hamasi.”

Dy liderët, megjithatë, ranë dakord se nuk mund të ketë njohje të shtetit palestinez pa shpërbërjen e Hamasit. Gjatë konferencës së përbashkët, Trump i propozoi Starmerit një zgjidhje sipas modelit të tij për ndalimin e dyndjeve të emigrantëve të paligjshëm në brigjet e vendit, duke angazhuar ushtrinë.

Reklamë

Ata nënshkruan edhe një marrëveshje, sipas së cilës gjigantët amerikanë të teknologjisë së lartë, mes tyre Microsoft dhe Google, do të investojnë 200 miliardë dollarë në zhvillimin e shërbimeve të inteligjencës artificiale, në përmbushje të objektivit të kryeministrit britanik për shndërrimin e vendit në një qendër botërore në këtë fushë.