×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Trump rindez polemikat: Ngushtica e Hormuzit do bëhet territor amerikan

    Reporteri
    17 Gusht 2026 | 23:49

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rindezur polemikat me një deklaratë të re, lidhur me Ngushticën strategjike të Hormuzit.

    Ai deklaroi se do të ishte një “ide shumë e mirë” që kjo zonë të shpallej territor i SHBA-ve. Duke folur në Zyrën Ovale, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara tashmë e kontrollojnë ngushticën, një pretendim që pritet të shkaktojë reagime të forta ndërkombëtare.

    Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë dhe lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik. Përmes saj transportohet një pjesë e konsiderueshme e naftës dhe gazit që furnizon tregjet ndërkombëtare, duke e bërë atë një pikë me rëndësi të jashtëzakonshme për sigurinë energjetike globale.

    Çdo kërcënim ndaj lundrimit në këtë zonë mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e energjisë dhe në tregjet botërore. Deklarata e Trumpit vjen në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, veçanërisht për shkak të përplasjes së vazhdueshme mes SHBA-ve dhe Iranit.

    Kontrolli i Ngushticës së Hormuzit është një çështje veçanërisht e ndjeshme për Iranin, i cili ka një pozicion strategjik përgjatë kësaj rruge detare. Në këtë klimë të tensionuar, deklaratat e presidentit amerikan kanë shtuar shqetësimet për të ardhmen e sigurisë së lundrimit dhe stabilitetit në rajon.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!