Jeruzalemi është zgjuar këtë mëngjes pas shpalljes së planit të paqes nga Donald Trump me më shumë pasiguri sesa shpresë, siç rrëfejnë qytetarët izraelitë dhe palestinezë në orët e para pas njoftimit.
Izraelitët jetojnë me tension të lartë, të përballur me procesin e lirimit të pengjeve, të gjallë e të vdekur, në prag të përvjetorit të dytë të 7 tetorit. Nga ana tjetër, nga Gaza e rrethuar vijnë zëra të lodhur, që flasin më shumë për një nevojë dëshpëruese për të shpëtuar nga “ferri”, sesa për ndonjë besim real tek paqja për disa, “me çdo kusht”.
Në planin politik duket sikur po qartësohen disa pozicione: kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, duke përfituar mbështetjen e Trump, përpiqet të zbusë pakënaqësitë brenda të djathtës ekstreme; ndërsa Autoriteti Kombëtar Palestinez, megjithëse i lënë jashtë konsultimeve, sheh një mundësi të largët për të rimarrë një rol në të ardhmen. Megjithatë, popullsia mbetet skeptike. Pritja ka qenë shumë e gjatë për të dyja palët. Ndërkohë, heshtja e Hamasit, të cilit tashmë i takon të reagojë mbetet ogurzezë.
Shumë pyesin: A mund të funksionojë një plan që kërkon miratimin e të gjithëve, përveç vetë palestinezëve? A do të pranojë Hamas të largohet, qoftë edhe me ofertën e një amnistie? A do të tërheqë vërtet Netanyahu ushtrinë izraelite?
“As palestinezë, nuk do t’u besojmë kurrë as Trump-it, as Netanyahut, por nuk kemi zgjidhje tjetër, vetëm të presim”, thotë përmes një mesazhi telefonik Asma, 25 vjeçe, një amvise nga qyteti i Gazës, që mban mbi supe gjithë familjen.
“Nuk do të funksionojë. Do të ketë incidente të tjera, justifikime të reja”, shprehet me pesimizëm Yacov, 38 vjeç, nga Jerusalemi.
Ndërkohë që nga Bregu Perëndimor raportohen përplasje të reja: ushtria izraelite ka ndërmarrë një tjetër bastisje në fshatin palestinez al-Mughayyir, i cili prej ditësh ndodhet nën presionin e kolonëve. Dyshimet thellohen çdo ditë, më shumë se frika vetë.