Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se është arritur një zgjidhje për konfliktin me Iranin dhe se marrëveshja pritet të nënshkruhet së shpejti.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se palët janë në fazën përfundimtare të dokumentimit të marrëveshjes.
“Do të jemi në proces të finalizimit të dokumenteve. Kjo duhet të bëhet gjatë ditëve të ardhshme”, ka thënë ai, sipas BBC-së.
Ai shtoi se ekziston mundësia që nënshkrimi i marrëveshjes të bëhet edhe në Evropë.
Sipas tij, marrëveshja garanton që Irani nuk do të pajiset kurrë me armë bërthamore, që sipas presidentit amerikan ishte objektivi kryesor i procesit.
“Ne kemi një marrëveshje që Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore… pra është një gjë shumë e rëndësishme”, është shprehur Trump.
Trump gjithashtu tha se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, ndërsa shtoi se ka zhvilluar biseda me liderë të rajonit, përfshirë aleatët e Gjirit dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, të cilët, sipas tij, e kanë mirëpritur marrëveshjen.