×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Trump tha se lufta me Iranin ka përfunduar, diplomati zbulon për CNN pikat kryesore të marrëveshjes

    Reporteri
    12 Qershor 2026 | 11:43

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar sot se lufta me Iranin ka përfunduar, duke lënë të kuptohet se është arritur marrëveshja. Por, çka përfshinë kjo marrëveshje? CNN ka publikuar detajet duke iu referuar një diplomati të informuar mbi çështjen.

    Marrëveshja e përkohshme mes SHBA-së dhe Iranit do të zgjasë armëpushimin, do të rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe do të hapë rrugën për më shumë bisedime mbi programin bërthamor të Iranit, përcjell Reporteri.net.

    Diplomati tha se të dyja palët kanë rënë dakord për tekstin e memorandumit të mirëkuptimit, siç quhet ai, por se ende nuk ka marrë miratimin përfundimtar.

    Këto janë disa nga pikat kryesore të marrëveshjes, sipas diplomatit:

    -Një armëpushim 60-ditor “në të gjitha frontet”, përfshirë Libanin, do të hyjë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.

    -Ngushtica e Hormuzit do të rihapet menjëherë, dhe Irani nuk do të vendosë tarifa për kalimin. Kjo garanton rrjedhën e lirë të energjisë dhe mallrave tregtare. Trafiku në këtë rrugë ujore do të rikthehet në nivelet para luftës 30 ditë pas nënshkrimit.

    -Bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të hiqet dhe do të ketë një lehtësim të pjesshëm të sanksioneve, “bazuar në ecurinë e marrëveshjes dhe angazhimin e vazhdueshëm me mirëbesim”, megjithëse nuk përcaktohet një datë konkrete për heqjen e sanksioneve.

    -Marrëveshja “plotëson të gjitha kërkesat e SHBA-së lidhur me çështjen bërthamore”, përfshirë zotimin e Iranit për të mos pasur armë bërthamore, si dhe trajtimin e çështjes së rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.

    Marrëveshja do të quhet “Marrëveshja e Islamabadit”.

    Diplomati nuk tha nëse marrëveshja përfshin lirimin e miliarda dollarëve të fondeve iraniane të ngrira, një kërkesë kyçe e Iranit që, sipas raportimeve, kishte penguar arritjen e marrëveshjes. Ai shtoi se statusi i Ngushticës së Hormuzit dhe programi bërthamor i Iranit ishin ndër temat e diskutuara në ditët e fundit të negociatave.

    Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të enjten se SHBA-ja “i ka dhënë fund luftës me Iranin” dhe se zëvendëspresidenti JD Vance mund të marrë pjesë në një ceremoni nënshkrimi në Evropë brenda pak ditësh.

    Një diplomat i dytë i tha CNN-it se vendi i mundshëm për nënshkrimin mund të jetë Gjeneva, dhe jo Franca, ku Trump dhe një delegacion amerikan do të marrin pjesë në samitin e G7 javën e ardhshme.

    Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha më herët se raportimet për një marrëveshje janë “thjesht spekulime” dhe se vendi i tij ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për ndonjë marrëveshje, sipas mediave shtetërore iraniane./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!