Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kritikuar ashpër kryetarin e New Yorkut, Zohran Mamdani, para udhëtimit të tij në Shtetet e Bashkuara, ku pritet të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Netanyahu e akuzoi Mamdanin për mbështetje ndaj Hamasit dhe tha se gjatë fjalimit të tij në OKB do të flasë për ushtarët izraelitë dhe për qëndrimet e kryetarit të New Yorkut.

“Turp për ty, zoti Mamdani. Turp për ty që mbështet përbindëshat e Hamasit, të cilët vranë njerëzit tanë. Unë po shkoj në OKB. Do të tregoj të vërtetën për ushtarët tanë heroikë dhe do të tregoj të vërtetën për ty”, tha Netanyahu.

Reklamë

Mamdani, ndërkohë, e ka kritikuar vazhdimisht kryeministrin izraelit. Në një intervistë për CNN, ai e ka quajtur Netanyahun “kriminel lufte” dhe “arkitektin e gjenocidit të tmerrshëm ndaj popullit palestinez”.

Ai gjithashtu ka deklaruar se urdhërarresti i lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare ndaj Netanyahut duhet të zbatohet.

Përplasja verbale mes dy politikanëve vjen në një kohë kur lufta në Gaza dhe veprimet e qeverisë izraelite vazhdojnë të jenë ndër çështjet kryesore në diskutimet ndërkombëtare.