Ukraina ka goditur sërish urën e Kerçit, që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë, duke shkaktuar ndërprerjen e përkohshme të qarkullimit dhe bllokimin e mijëra automjeteve në të dyja anët e saj.

Sipas raportimeve të mediave lokale, sulmi u krye në orën 05:38 të mëngjesit me një dron kamikaz ukrainas, i cili u përplas me njërën prej harqeve të urës. Pak para goditjes, mbi zonë ishin dëgjuar edhe dronë të tjerë, ndërsa mbrojtja ajrore ruse kishte hapur zjarr.

Dëmet e shkaktuara nga sulmi nuk janë bërë ende plotësisht të qarta. Një prej raportimeve pretendon se njëri prej harqeve të urës është anuar me rreth 15 gradë.

Reklamë

Guvernatori i Krimesë i emëruar nga Moska, Sergey Aksyonov, konfirmoi sulmin dhe njoftoi se qarkullimi do të kufizohej, me gjasë deri në orët e pasdites. Ndërkohë, autoritetet ruse bënë të ditur se ura do të qëndronte e mbyllur deri në përfundimin e vlerësimit të gjendjes së saj nga ekspertët.

Sipas raportimeve, rreth 2 mijë automjete mbetën të bllokuara në trafik në të dyja anët e urës. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përpoq të minimizonte pasojat e sulmit, duke deklaruar se bëhej fjalë për dëme të vogla dhe se situata po vlerësohej.

Ura e Kerçit ka një rëndësi të madhe strategjike për Rusinë, pasi shërben si lidhja kryesore rrugore dhe hekurudhore mes territorit rus dhe Krimesë, gadishullit që Moska e aneksoi në vitin 2014. Ukraina e konsideron atë një objektiv legjitim ushtarak dhe ka tentuar ta godasë edhe më parë.

Në vitin 2022, një kamion i mbushur me eksploziv shkaktoi dëme të mëdha në një pjesë të urës, ndërsa në vitin pasues ajo u godit sërish nga një dron detar ukrainas i njohur si “Sea Baby”. Pas këtyre sulmeve, Rusia ka shtuar masat e sigurisë, duke përforcuar mbrojtjen ajrore dhe duke vendosur barriera mbrojtëse në ujë.

Sulmi ndaj urës vjen në një kohë kur Ukraina ka intensifikuar goditjet ndaj objektivave në territorin rus. Gjatë së njëjtës natë, Kievi lëshoi 1,336 dronë drejt Rusisë, në atë që Kremlini e cilësoi si një prej sulmeve më të mëdha të këtij viti. Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, pretendoi se rreth 600 prej tyre u rrëzuan gjatë afrimit drejt kryeqytetit.

Reklamë

Nga ana tjetër, Ukraina argumenton se sulmet e saj janë përgjigje ndaj bombardimeve të vazhdueshme ruse me raketa dhe dronë kundër qyteteve dhe infrastrukturës energjetike ukrainase. Sipas Kievit, këto sulme kanë shkaktuar viktima në mesin e civilëve dhe kanë lënë miliona njerëz pa energji elektrike dhe ngrohje.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës mbeten pa rezultat. Pas bisedimeve të zhvilluara javën e kaluar në Abu Dhabi, presidenti rus Vladimir Putin përsëriti kërkesat territoriale të Moskës dhe paralajmëroi se prania e trupave të huaja në Ukrainë do të konsiderohej si vazhdim i luftës.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi se administrata amerikane e Donald Trump i ka propozuar Kievit të heqë dorë nga rajoni lindor i Donbasit, përfshirë edhe territore që aktualisht nuk kontrollohen nga Rusia, në këmbim të anëtarësimit në NATO ose garancive të ngjashme të sigurisë.

Zelenskyy e ka kundërshtuar këtë mundësi, duke theksuar se Ukraina nuk do të dorëzojë territoret e saj. Ai shtoi se garancitë e sigurisë të propozuara nga SHBA-ja mbeten të paqarta dhe nuk parashikojnë dërgimin e trupave amerikane në terren.

Reklamë