Mijëra palestinezë po largohen nga qyteti i Gazës, ndërsa ofensiva tokësore e Izraelit për të pushtuar zonën hyn në ditën e dytë. Izraeli thotë se synon të lirojë pengjet e mbajtura nga Hamasi dhe të mposhtë deri në 3 mijë luftëtarë në atë që e cilëson si “fortesa e fundit” të grupit. Megjithatë, ofensiva ka sjellë dënim të gjerë ndërkombëtar.

Sipas BBC, më shumë se 20 organizata të ndihmës, përfshirë Save the Children dhe Oxfam, paralajmëruan se “çnjerëzimi i situatës në Gaza është i papranueshëm”. Kjo ndodhi një ditë pasi një komision hetimor i OKB-së doli në përfundimin se Izraeli kishte kryer gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza, një akuzë që qeveria izraelite e mohoi fuqishëm.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se spitali për fëmijë al-Rantisi u godit tre herë nga sulme izraelite, duke detyruar gjysmën e pacientëve të largohen. Nuk pati të lënduar, por u dëmtuan rëndë sistemet e ajrit të kondicionuar, depozitat e ujit dhe panelet diellore. Ky spital është i vetmi që trajton fëmijë me kancer, dështim të veshkave dhe sëmundje të tjera të rënda.

Reklamë

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se po shqyrtojnë raportet dhe se kanë goditur mbi 150 objektiva në qytetin e Gazës në dy ditë. Sipas mediave izraelite, IDF po përdor mjete të vjetra ushtarake të ngarkuara me eksplozivë, të modifikuara për t’u kontrolluar në distancë dhe për t’u shpërthyer pranë pozicioneve të Hamasit.

Banorët raportuan natë të tmerrshme me shpërthime të vazhdueshme. Trupat izraelite avancuan nga Sheikh Radwan, Tal al-Hawa dhe Shejaiya. Qindra mijëra palestinezë po largohen drejt jugut me karroca, automjete të mbushura me sende dhe në këmbë. Deri tani, rruga e vetme e evakuimit ka qenë ajo bregdetare drejt zonës “humanitare” të al-Mawasi, e caktuar nga Izraeli.

Të mërkurën, IDF njoftoi hapjen e përkohshme të një rruge të dytë, rruga qendrore Salah al-Din, për 48 orë. Megjithatë, shumë palestinezë thonë se nuk mund të përballojnë kostot e larta të udhëtimit. Qiraja e një kamioni të vogël kushton rreth 900 dollarë, ndërsa një tendë për pesë persona arrin në 1 mijë e 200 dollarë.

Organizatat humanitare thonë se zona “humanitare” është e mbipopulluar dhe nuk mund të strehojë dy milionë njerëz. Disa që u evakuuan u kthyen në veri, pasi nuk gjetën vend për të ngritur tendat. “Çdo ditë na hedhin fletushka për evakuim, ndërsa ushtria izraelite bombardon ndërtesa në çdo drejtim”, tha Munir Azzam nga Gaza e Veriut.

Reklamë

IDF tha se rreth 350 mijë persona kanë ikur nga qyteti i Gazës, ndërsa OKB-ja e vlerëson shifrën në 190 mijë që nga gushti. Rreth 650 mijë banorë mendohet se ende ndodhen në qytet.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi 98 të vrarë dhe 385 të plagosur nga zjarri izraelit në 24 orët e fundit. Katër persona të tjerë vdiqën nga kequshqyerja, duke e çuar numrin e vdekjeve nga uria në 154 që nga shpallja e zyrtarizuar e urisë nga OKB-ja në fund të gushtit.

Ndërkohë, familjarët e 48 pengjeve të mbetura, 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë, protestuan pranë rezidencës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke thënë se ofensiva rrezikon jetën e të afërmve të tyre.

Papa Leoni XIV e cilësoi situatën në Gaza si “të papranueshme” dhe përsëriti thirrjen për armëpushim. “Jam thellësisht pranë popullit palestinez të Gazës, që vazhdon të jetojë në frikë dhe në kushte të papranueshme, i detyruar sërish të largohet nga toka e vet”, tha ai nga Vatikani.

Reklamë

Komisioni Evropian propozoi sanksione ndaj Izraelit për sjelljen gjatë luftës në Gaza dhe për avancimin e projektit të vendbanimeve E1, që do të ndante Bregun Perëndimor në dy pjesë. Propozimi përfshin pezullimin e disa marrëveshjeve tregtare dhe sanksione ndaj ministrave ekstremistë dhe kolonëve të dhunshëm izraelitë. Vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Izraeli paralajmëroi BE-në të mos miratojë masat, të cilat aktualisht nuk kanë mbështetje të mjaftueshme nga shtetet anëtare.

Raporti i OKB-së përfundoi se forcat izraelite kanë kryer dhunë seksuale dhe me bazë gjinore, kanë shënjestruar fëmijët me qëllim për t’i vrarë dhe kanë sulmuar në mënyrë sistematike vendet fetare, kulturore dhe arsimore. Ministria e Jashtme e Izraelit e hodhi poshtë raportin si “të shtrembëruar dhe të rremë”.

Izraeli nisi luftën në Gaza pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1mijë e 200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë.

Reklamë

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 65 mijë persona janë vrarë nga sulmet izraelite që atëherë, gati gjysma prej tyre gra dhe fëmijë. OKB-ja paralajmëron se intensifikimi i ofensivës do të çojë civilët në një “katastrofë edhe më të thellë”.