Áron Orban, vëllai i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orban, është arrestuar nën akuzën për trafikim të qenieve njerëzore. Lajmi është bërë publik në rrjetet sociale nga kryeministri aktual i Hungarisë, Péter Magyar, i cili ka shpërndarë në Facebook artikullin e publikuar nga media Kontroll, në pronësi të vëllait të tij.

Policia hungareze kishte njoftuar më herët se disa persona ishin arrestuar në Budapest dhe në dy qytete të rajonit fqinj të Pestit, gjatë një operacioni të zhvilluar në kuadër të dy hetimeve penale në vijim.

Një prej kontrolleve është kryer në një pronë në Fotliget, jashtë Budapestit, e cila lidhet me Áron Orban. “Po kryhen kontrolle në banesat e personave të përfshirë”, thuhet në njoftimin e policisë, e cila ka bërë të ditur se pasditen e sotme do të japë më shumë detaje mbi akuzat ndaj të arrestuarve.

Reklamë

Péter Magyar, konservatori proevropian që fitoi zgjedhjet majin e kaluar, kishte premtuar çmontimin e sistemit të pushtetit të ndërtuar nga paraardhësi i tij, i cili mbante qëndrime pro-ruse, si dhe luftën kundër korrupsionit që ka shoqëruar vendin gjatë viteve të qeverisjes së tij.

Deri më tani, tre ish-ministra ndodhen në burg, mes tyre edhe György Matolcsy, ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Orbanit, i cili drejtoi Bankën Qendrore të Hungarisë për 12 vjet.

Burime pranë rrethit të afërt të vëllait të ish-kryeministrit kanë konfirmuar për mediat hungareze se operacioni është zhvilluar sot. Megjithatë, ende nuk dihet nëse vëllai më i vogël i Viktor Orbanit është ndaluar nga autoritetet.

“Ky është një diversion për larjen e hesapeve. Ajo që po ndodh në Hungari nuk ka të bëjë me vendosjen e përgjegjësisë, por me larjen e hesapeve”, ka deklaruar Viktor Orban, duke reaguar ndaj informacioneve të publikuara.

“Qëllimi i kësaj loje të pistë është eliminimi i kundërshtarëve politikë dhe vendosja e një sistemi njëpartiak. Objektivi jam unë. Vëllai im i vogël është thjesht një instrument”, ka shtuar ai.

Reklamë