Danimarka po ndërmerr hapa për të mbrojtur qytetarët nga videot dhe imazhet e rreme të krijuara me inteligjencë artificiale. Një projektligj i ri synon t’i japë çdo personi të drejta ligjore mbi pamjen, zërin dhe lëvizjet e tij, duke ndaluar përdorimin e tyre në përmbajtje të krijuara nga AI pa pëlqimin e personit.
Projektligji u paraqit në parlament më 8 tetor nga ministrja e Kulturës, Zenia Stampe. Ai parashikon që askush të mos mund të publikojë imitime realiste të një personi, të krijuara me inteligjencë artificiale, pa lejen e tij. Mbrojtja do të vlejë për të gjithë qytetarët, jo vetëm për personazhet e famshëm apo artistët.
Sipas propozimit, personi që publikon një përmbajtje të tillë duhet të provojë se ka marrë pëlqimin e individit të imituar. Mbrojtja do të vazhdojë edhe për 50 vite pas vdekjes, ndërsa gjykatat do të kenë mundësi të urdhërojnë platformat online të fshijnë përmbajtjet e paligjshme.
Ministrja Stampe theksoi se krijimi i videove dhe imazheve të manipuluara është bërë shumë i lehtë falë inteligjencës artificiale, ndaj synimi është që kompanitë e mëdha të teknologjisë të reagojnë më shpejt ndaj këtyre.