Pak para se të arrinte distancën prej një viti-dritë, Voyager 1, objekti i parë i krijuar nga njerëzimi që u dërgua në hapësirën kozmike, hasi në vështirësi në komunikimin me Tokën.
Sonda hapësinore, e cilësuar si një prej eksploruesve më të largët të njerëzimit, nuk po dërgon më sinjale me të dhëna inxhinierike dhe shkencore në mënyrën e zakonshme.
NASA e zbuloi këtë problem vetëm pesë ditë para se Voyager 1 të arrinte distancën prej një viti-dritë nga Toka.
Një ditë-dritë është distanca që përshkon një sinjal radioje, duke udhëtuar me shpejtësinë e dritës, për të arritur te anija kozmike brenda 24 orëve – afërsisht 16 miliardë milje ose 26 miliardë kilometra, raporton CNN.
Sipas NASA-s, prania e një sinjali tregon se kompjuteri i navigimit të Voyager 1 vazhdon ta mbajë sondën të orientuar drejt Tokës, ndërsa antena dhe sistemi i transmetimit janë duke funksionuar siç duhet.
Megjithatë, problemi qëndron te mungesa e të dhënave që përpunohen nga një kompjuter i posaçëm, i cili mbledh informacionet shkencore të marra nga instrumentet e sondës. Këto instrumente të tjera vazhdojnë të funksionojnë normalisht.
Ekipi i misionit Voyager 1 po punon për zgjidhjen e problemit, por distanca jashtëzakonisht e madhe e sondës e bën procesin e ndërhyrjes shumë të ngadaltë dhe të ndërlikuar. Çdo komandë e dërguar drejt anijes kozmike i duhen 24 orë për të mbërritur, ndërsa përgjigjes së saj i duhen edhe 24 orë të tjera për të arritur te ekipi i misionit në Tokë.