Presidenti amerikan Donald Trump e telefonoi Elon Muskun dhe i kërkoi atij të hiqte kufizimet mbi përdorimin e Starlink nga ana e Ukrainës, raportoi të enjten “Wall Street Journal“, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Sipas zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas të cituar nga gazeta, sistemi Starlink funksiononte në mënyrë më normale të enjten, pak kohë pas bisedës mes Trumpit dhe Muskut, transmeton Reuters.
Disa zyrtarë ukrainas i thanë gazetës se sistemi nuk ishte rikthyer në funksionalitet të plotë, por po punonte me shpejtësi më të lartë sesa kur ishte nën kufizime.
Sipas Reuters, Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi më herët të enjten se shpejtësia e Starlink nuk ishte rikthyer për Ukrainën, duke shtuar se shpresonte të zhvillonte bisedime me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në ditët në vijim.
Ukraina e përdor Starlink-un për komunikime në fushën e betejës dhe për operacione me dronë. Kufizimi i shërbimit satelitor pengoi misionet e vendit me dronë – si ato sulmuese, ashtu edhe ato për mbrojtjen ajrore – kundër Rusisë.