Kompania e inteligjencës artificiale xAI, e themeluar nga Elon Musk, ka ndërmarrë një hap ligjor duke ngritur një padi në gjykatën federale kundër shtetit të Minnesotas. Padia synon të bllokojë një ligj të ri që ndalon teknologjinë e “nudifikimit” në ueb-faqe dhe aplikacione, i cili pritet të hyjë në fuqi këtë të shtunë.
Në padinë voluminoze prej 38 faqesh, xAI (zhvilluesja e modelit të AI, Grok) argumenton se pavarësisht qëllimit legjitim për të mbrojtur qytetarët, legjislacioni aktual paraqet probleme serioze:
Kompania pretendon se ligji “shtrihet shumë përtej” ndalimit të imazheve të zhveshura pa pëlqim, duke prekur edhe përmbajtje të mbrojtura nga Kushtetuta.
Ligji parashikon gjoba deri në 500,000 dollarë për çdo shkelje.
Sipas xAI, ligji nuk ofron një dispozitë për “strehë të sigurt” për kompanitë që bëjnë përpjekje të sinqerta për të bllokuar abuzimet nga përdoruesit.

Kompania thekson se përkufizimi ligjor për “pjesën intime” është tepër i gjerë, pasi përfshin zona të trupit që zakonisht shfaqen në publik.
“Përdorimi i inteligjencës artificiale për të gjeneruar imazhe të zhveshura pa pëlqim është një veprim që cenon dinjitetin e personit dhe shkakton dëme të mëdha emocionale dhe profesionale,” pranon xAI në dokumentin e dorëzuar në gjykatë.
Edhe pse kundërshton mënyrën se si është formuluar ligji i Minnesotas, xAI theksoi se rregullat e brendshme të modelit Grok ndalojnë rreptësisht aktivitetet e paligjshme dhe abuzive që cënojnë privatësinë.
Kompania bëri të ditur se zbaton këto politika përmes pezullimit të llogarive të shkelësve dhe ka vendosur masa teknologjike për të penguar përdoruesit që të redaktojnë imazhet e personave realë për t’i paraqitur në veshje të zbuluara.