Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi sot më 5 shtator, se forca më e madhe e sigurisë për vendin e tij është vetë ushtria ukrainase.

“Janë 800 mijë njerëz dhe me gjithë respektin për të tjerët, sot është ushtria më e madhe në Evropë. Ajo ndihmon që edhe Evropa të mos jetë në rrezik përballë kërcënimit rus”, deklaroi ai.

Lidhur me mundësinë e negociatave apo një armëpushimi, Zelensky u shpreh i prerë duke akuzuar Vladimir Putinin për sabotim të çdo përpjekjeje diplomatike.

Reklamë

“Putin nuk dëshiron ta ndalë këtë luftë, kjo është e vërteta. Ai e ka dashur këtë luftë dhe do të afrohet drejt fundit të saj vetëm nëse presioni ndaj Rusisë rritet, jo nëse zvogëlohet”, tha presidenti ukrainas.

Ai vlerësoi rezultatet e samitit të djeshëm në Paris mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën pas një armëpushimi apo paqeje, duke shtuar se po përgatiten plane të reja për të rritur presionin mbi Moskën “në tokë, në ajër dhe në det”.

“Në javët e ardhshme do të flasim qartë se çfarë mund të bëjë secili vend. Është e rëndësishme të veprojmë tani, jo vetëm pasi lufta të ketë përfunduar”, theksoi Zelensky.