Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka mirëpritur fokusin e Kongresit të VIII të Mjekësisë në edukimin shëndetësor dhe promovimin e shëndetit, duke theksuar rëndësinë e tyre në përmirësimin e rezultateve shëndetësore dhe forcimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada ka bërë të ditur se Zvicra ka kontribuar në avancimin e edukimit dhe promovimit shëndetësor në Kosovë përmes partneritetit ndërmjet dy vendeve.

Ky bashkëpunim, sipas Ambasadës, ka përfshirë mbështetjen për zhvillimin profesional, kujdesin shëndetësor parandalues dhe fuqizimin e pacientëve.

Reklamë

“Ne mirëpresim fokusin në edukimin shëndetësor dhe promovimin e shëndetit në Kongresin e sivjetmë Mjekësor të Odës së Mjekëve të Kosovës. Kjo pasqyron njohjen gjithnjë e më të madhe të rëndësisë së tyre në përmirësimin e rezultateve shëndetësore dhe forcimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor”, thuhet në postimin e Ambasadës së Zvicrës.

Kongresi i VIII i Mjekësisë, i organizuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës, po mbahet me temën:

“Promovimi dhe edukimi shëndetësor në 40-vjetorin e Kartës së Otavës: Së bashku për shëndet dhe mirëqenie”.

Sipas njoftimit të Odës së Mjekëve të Kosovës, punimet e kongresit kanë filluar në Hotel Emerald, në Prishtinë, sipas agjendës së paraparë.

Reklamë

Gjatë dy ditëve të këtij aktiviteti do të prezantohen mbi 130 punime shkencore nga ligjërues vendorë dhe ndërkombëtarë. Kongresi synon të shërbejë si mundësi për shkëmbimin e përvojave profesionale, avancimin e njohurive shkencore dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të anëtarëve të Odës.

Sipas Odës, këto aktivitete kanë për qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe kujdesit ndaj pacientëve.

Reklamë

Kongresi është akredituar me 25 pikë për pjesëmarrje aktive dhe 20 pikë për pjesëmarrje pasive.

Me fokusin te edukimi dhe promovimi shëndetësor, kongresi trajton tema që lidhen me rëndësinë e informimit për shëndetin dhe kujdesit parandalues, ndërsa mbështetja e Zvicrës në këto fusha është pjesë e partneritetit të saj me Kosovën.