×
  • Lajme
  • Lajme

    Cakaj dhe Pacolli konfirmojnë Task-Forcën Diplomatike për Kosovën

    Reporteri
    24 Prill 2019 | 23:30

    Diplomati serb Ivica Daçiq do të ketë edhe shumë përplasje me Gent Cakajn, ministrin e  Jashtëm në detyrë të Shqipërisë.


    Cakaj që ka prejardhje kosovare, e që e drejton diplomacinë shqiptare do ta sfidojë serbin Daçiq, me një Taskë-Forcë Diplomatike e cila do të luftojë lobimin e Beogradit kundër shtetit të Kosovës.

    “Do të ngrit Taskë-Forcën për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës me diplomatët më të kualifikuar nga Kosova dhe nga Shqipëria”, tha Cakaj mbrëmë në Opinion.

    Homologu i Cakajt, ministri i Jashtëm kosovar Behgjet Pacolli ka deklaruar se kjo nismë është diskutuar midis dy ministrive dhe pritet të zyrtarizohet para mbledhjes së dy qeverive që mbahet në maj.

    “Kur ministri i Jashtëm i Shqipërisë viziton Kosovën, gjatë vizitës së tij do ta nënshkruajmë këtë marrëveshje. Mirëpresim rezultate se kemi ma shumë diplomatë dhe jemi më afër shteteve që bashkëpunojmë me ta”, ka deklaruar Pacolli për Klan Kosova.

    Siç raportoi mbrëmë Reporteri.net Cakaj, është kujdesur që Kosova të prezantohet me diplomatë përmes shtetit shqiptar edhe në vendet që nuk e njohin shtetin e Kosovës.

    “Ministri Cakaj ka vendosur që në çdo vend që nuk e njeh Kosovën, të dërgoj diplomatë kosovarë si diplomatë të Shqipërisë”, i është thënë Reporteri.net nga zyra e ministrit të Jashtëm.

    Ndërkohë, një gjë të tillë ministri Cakaj e ka përmendur në mënyrë periferike edhe në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, ku ishte i ftuar mbrëmë.

    Ky vendim i ministrit që vjen nga Kosova i jep mundësinë vendit prej nga vjen Cakaj, Kosovës, një përfaqësim diplomatik edhe në vendet që nuk e njohin shtetit kosovar. Këtu hyjnë edhe shtetet anëtarë të BE-së që nuk e njohin Kosovën, si Spanja, Greqia, Qipro, Rumania e Slovakia.

    Sidoqoftë, ky hap i përfaqësimit të diplomatëve kosovarë në këto shtete, do të mundësojë avancimin e shtetësisë së Kosovës, e cila ka mbetur në margjina të një hapësire të vogël veprimi.

    Ndryshe, Kosova ka mbetur pa u anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, si INTERPOL e UNESCO, krejt për shkak të mosnjohjes së shtetësisë nga shumë vende dhe kontestimit të Serbisë që po instrumentalizohet me luftë diplomatike ndaj shtetit kosovar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!