Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përmbyllur një proces i rëndësishëm demokratik në Kosovë.
Ajo ka falënderuar institucionet zgjedhore dhe të gjithë të angazhuarit për kontributin në mbarëvajtjen e procesit.
Haxhiu ka bërë të ditur se, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit të paraparë me Kushtetutë.
Sipas saj, kjo do t’i hapë rrugë themelimit të institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve. Ajo ka theksuar se besimi i qytetarëve duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim në shërbim të interesit publik.
Postimi i plotë:
Sot, me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën tonë.
Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale. Shpreh mirënjohjen time për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që, me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim, kontribuuan në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e këtij procesi.
Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve.
Besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe. Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë.
/Reporteri.net/